TIRANE- Kryetari i PD Lulzim Basha, priti Dr.Ernst Reichel, Drejtor i Drejtorisë për Vendet e Evropës Juglindore në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, që shoqërohej edhe nga Ambasadori në Shqipëri, Hoffmann. Basha, shprehu mirënjohjen për mbështetjen, bashkëpunimin e ndihmën që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe, si edhe i rikonfirmoi vendosmërinë e PD dhe opozitës shqiptare, për të kontribuar në forcimin e zgjerimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve e bashkëpunimit frytdhënës, në të gjitha fushat.

Ai ripohoi vendosmërinë e PD dhe opozitës për të mbështetur gjithë hapat e mëtejshëm të Shqipërisë në procesin e integrimit në BE. Basha ndau me drejtorin Reichel shqetësimin e thellë të PD dhe opozitës shqiptare, për përqasjen jokonstruktive të këtyre javëve të para të qeverisjes së koalicionit Rama–Meta, duke filluar nga dhuna verbale sipas tij ndaj opozitës deri tek sulmi i papreçedentë, tinëzar dhe antiligjor ndaj administratës publike

. Ai theksoi se opozita shqiptare do të qëndrojë fort me të gjitha mjetet ligjore dhe politike në mbështetje të administratës publike, por edhe si një barrierë kundër çdo veprimi arbitrar të kësaj mazhorance.
 

Shkrimi u publikua sot (03.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)­