Kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka biseduar ditën e sotme me kryesinë e Shoqatës "Durrësi". Basha thotë se ka një lajm të mirë për pakënaqësitë, dhe ka kërkuar që gjithë durrsakët të dalin masivisht në votime për të ndryshuar situatën. Nëse PD vjen në pushtet, Basha thotë se së pari do të korrigjojë gabimet që në fakt kanë qenë aferat korruptive.
“Tani premtohet tjetërsimi i portit të Durrësit, pa pikë transparence, pa pikë konsultimi. Respekti për pronën, respekti për djersën, për krenarinë e gjeneratave të tëra të familjeve durrsake. Respekti për trashëgiminë kulturore dhe një plan i mirëmenduar urbanistik dhe turistik janë në themel të zhvillimit të Durrësit të ardhshëm, janë themel të angazhimeve tona karshi qytetarëve të Durrësit dhe ekonomisë së Durrësit. Ka një lajm të mirë gjithë këto lajme të këqija që me gjithë këtë kaos, me gjithë këtë mungesë totale konsiderate për trashëgiminë kulturore, me gjithë mbërthimin e vendimmarrjes nga një grusht bandash që gjithë Shqipëria e di siç e di Durrësi që për 10 vite çdo vendim nga vendimet më të mëdha deri tek vendimet më të vogla janë bërë, janë firmosur me dorën e bandave dhe simbolizohen nga ai që sot është në listën e zezë të Departamentit të Shtetit dhe pavarësisht prej kësaj Dako vazhdon të jetë nën hije bashkë me Çelën, vazhdon të jetë dora e djathtë e Edi Ramës në Durrës. A janë këta njerëzit që pas tetë vitesh shkatërrim të ekonomisë së Durrësit, trashëgimisë kulturore të Durrësit, të pronave të durrsakëve. A janë këta që meritojnë edhe katër vite të tjera? A kanë këta zgjedhje për qytetarët e Durrësit? Sigurisht që jo.
Ajo që duhet të bëjmë është që të mos të lëmë asnjë durrsake dhe durrsak pa votuar. Të dalim masivisht sepse ndryshimi vjen përmes votës dhe përmes kutisë së votimit dhe ky ndryshim për ne do të thotë së pari të korrigjojmë këtë gabime të tmerrshme që në bazë faktikisht kanë afera korruptive dhe të vëmë një moratorium dhe më pas një plan të qartë për të mbrojtur dhe për të nxjerrë në pah pasuritë, thesaret e trashëgimisë kulturore të Durrësit. Së dyti, të zbatojmë ligjin dhe të garantojmë nderimin dhe respektimin dhe shenjtërimin e pronës dhe përdorimin apo zhvillimin e saj vetëm në dobi dhe në funksion të pronarëve të ligjshëm, duke e zhbërë si fillim ligjin e shpronësimit të dytë që është një angazhim që ne e kemi marrë edhe para shoqatave të pronarëve. Së treti të çlirojmë nga vargonjtë me të cilat është lidhur çdo potencial zhvillimi në Durrës, nga universiteti i cili me planin tonë dhe në bashkëpunim me universitetet europiane dhe Komisionin Europian do të kthehet në një qendër mesdhetare të kualifikimit të rinisë durrsake dhe të rinisë së Shqipërisë në profesione të cilat përshtaten me kërkesën e madhe të një tregu dinamik pune në Europë por që këto profesione t’i ushtrojnë këtu, qofshin këto në fushën e inxhinierive apo ën fushën e turizmit apo në fushën e informatikës. Në raport me shtresat në nevojë angazhimet tona janë të qarta.
Ato probleme që ju shtruat unë i kam diskutuar me përfaqësuesit që ju përmendët dhe kemi rënë dakord në parim edhe për një marrëveshje kuadër që do të përbëjë bazën e marrëdhënies me respekt të ndërsjelltë, me dialog dhe me një vendimmarrje transparente që do të burojë gjithmonë përmes konsultimit me personat me aftësi të kufizuar, po të njëjtën gjë do të bëjmë për ndihmën ekonomike, dyfishimi i të cilës është një nga angazhimet e menjëhershme të cilat do të vëmë në zbatim, sepse Durrësi dhe gjithë Shqipëria, për fat të keq gjatë këtyre 8 viteve ka njohur një rritje të numrit të familjeve që janë në nevojë ekonomike, por mbi të gjitha për ne është e rëndësishme të vëmë në lëvizje zinxhirin e ekonomisë, ingranazhet ekonomike dhe këtu Durrësi ka nevojë për vëmendje të menjëhershme, ka nevojë për fonde, jo thjeshtë për të sprapsur pasojat e tërmetit, për ta bërë rindërtimin realitet duke vënë interesat e të dëmtuarve dhe të ekonomisë së durrsakëve të parat dhe jo të mbushim xhepat e disa kontraktorëve, e disa kompanive fantazmë që në fakt janë pushtetarët që fshihen pas tyre”, tha Basha.
Lajmi kryesor: