TIRANË, 19 Janar /ATSH-Gjergji Mima/ - Dekriminalizimi i Kuvendit dhe institucioneve të tjera të administratës publike do të jetë sfida kryesore e opozitës në sesionin e ri parlamentar.
Kështu u shpreh sot kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së.
"Duam që shumica t'u përmbahet angazhimeve që ka marrë. Të mos bëjë lojë të dyfishtë. Të nënshkruajë me ne letra dhe më pas të na bëjë ballë me vepra, siç ka pasur disa shenja. Duam të punojmë bashkë me shumicën për dekriminalizimin e Kuvendit. Jemi të gatshëm për të çmontuar sistemin që promovon trafikantët".
Duke folur për punën e qeverisë, Basha u shpreh se, "nga njëra anë kjo është qeveria që ka braktisur bllokun e premtimeve elektorale, nga ana tjetër ka përqafuar pseudoreforma që nuk i ka pasur pjesë të kontratës me zgjedhësit". "Kjo qeveri është cinike, e pabesë, e pafytyrë me zgjedhësit. Rasti më solid është ai i premtimit për uljen e çmimit të energjisë, të cilin po e rrit. Po kaq demaskues është terrori mbi mjekët dhe mësuesit. Opozitarizmi duhet t'i përgjigjet sy për sy, flakë për flakë përshkallëzimit të dhunës nga kjo qeveri", tha Basha.
Do vazhdojmë, tha Basha, "të qëndrojmë fort në tabanin e opozitarizmit të mbështetur në fakte, gjë që është vlerësuar pozitivisht brenda dhe jashtë vendit dhe ka dhënë rezultate".
"Vendi ka forca të së mirës që as merren, as kapen, as blihen, as tremben dhe as nënshtrohen. Janë qytetarët e lirë, është media e lirë, është sipërmarrja e lirë, organizatat e shoqërisë civile. Është PD dhe opozita si instanca më bazike dhe e lirisë në këtë vend", theksoi Basha.
"Qytetarët e dinë se në momentet më të vështira, kur krimi lëshohet rrugëve, sallave apo shesheve për të vjedhur asetet publike apo private, jemi ne opozita që i dalim përballë, që e luftojmë dhe do vazdhojmë ta luftojmë pa kompromis", tha Basha./m.m/









