ELBASAN- Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi nisën sot në terren garën për kryetarin e ri të PD.

Dy rivalët kanë zgjedhur ta nisin betejën nga qarqet ku ndihen më të fortë, Basha në Elbasan ku doli deputet në 2009 dhe Olldashi në Fier, ku është i pari i listës për të dytin mandat radhazi. Të dy kandidatët kanë theksuar se "humbja në zgjedhjet e 23 qershorit është përgjegjësia e të gjithëve, jo vetëm e Berishës".

Lulzim Basha ka zgjedhur ta nisë betejën në një nga qarqet ku ndihet më i fortë, pasi në Elbasan doli deputet në vitin 2009.
 
Basha besohet se ka lidhje të forta me strukturat e partisë në këtë zonë që prej fushatës elektorale të 2009, kur ai kryesoi listën e deputeteve demokratë, derisa u tërhoq për të garuar për Bashkinë e Tiranës.
 
Duke u ndalur tek rezultati i zgjedhjeve të 23 qershorit dhe tek dorëheqja e Sali Berishës nga kreu i Partisë Demokratike, Basha tha se kjo humbje është përgjegjësi e gjithsecilit, dhe ftoi të gjithë demokratët të japin kontributin e tyre për ringritje dhe ristrukturimin e kësaj force politike.
 
“Pak ditë pas zgjedhjeve Berisha dha dorëheqjen e parevokueshme nga PD. Ky justifikim është i pavërtetë sepse të gjithë e dimë se përgjegjë3sia fillon nga gjithsecili prej nesh, fillon nga unë, nga secili prej nesh. Për atë që bëmë mirë, dhe për atë që do bënim më mirë. Por ky vendim tashmë është marrë. Dhe është një mundësi që të gjithë të bashkohemi për të kontribuar për këtë familje të madhe. Ndaj edhe sot detyra e parë dhe më e rëndësishme është të jemi bashkë. Të bisedojmë më njëri-tjetrin, të diskutojmë gjërat e rëndësishme. Mos lejojmë përçarjet, kundërshtitë. Ne të gjithë bashkë do të ringrihemi, në të gjithë bashkë do të fitojmë. Ne jemi partia e Sali Berishës”, tha Basha.
 
Ndërsa kërkoi mbështetjen e demokratëve elbasanas për ta mbështetur atë në 22 korrik, duke e zgjedhur si kreun e ri të PD, Basha tha se kandidon jo për ambicie personale, por për ndjesi përgjegjshmërie. Ndërsa shtoi se sipas vizionit të tij, PD duhet të krijojë një strukturë të re të evidentimit të meritës dhe kontributit të çdo anëtari.
 
“Pas konsultimeve të shumta, pas një bisede me kryeministrin Berisha, duke u nisur nga asnjë ambicie personale, por nga ndjesia e përgjegjshmërisë vendosa të shpall kandidaturën për kreun e PD të gjithë Shqipërisë. Pasi Berisha siç e ka thënë dhe vetë do të vazhdojë të jetë pjesë e një ringritje të re, dhe një fitoreje. Por çfarë do të thotë të kërkoje besimin tuaj në këtë moment kaq të vështirë. Dua të flas për mënyrën sesi unë e shoh rrugën tonë përpara. Pikësëpari e shoh si një rrugë ku jemi të gjithë bashkë, që nga anëtari më i ri, e deri tek ata që kanë kontribuuar që nga fillesat në PD. Do të vendosim një raport të drejtë midis kontributit meritës dhe përgjegjësisë. Ndaj fillimi i projektit të ri politike për mua, është dëgjimi i zërit të çdo anëtari të PD në çdo cep të Shqipërisë. Së dyti nevojitet hartimi i një sistemi të qartë dhe transparent për meritën e gjithsecilit”, vijoi Basha.

OLLDASHI: TE GJITHE JEMI PERGJEGJES PER HUMBJEN

Ndërkaq edhe kandidati tjetër për kreun e PD, Sokol Olldashi i ka bërë të gjithë bashkë përgjegjës për humbjen dhe u ka kërkuar ndjesë militantëve të PD, që "me gjithë punën e madhe që bëmë, nuk i fituam zgjedhjet".
 
Më pas për sa i përket garës për kreun e PD, ai ka theksuar se "është futur në garë në një moment të vështirë; kjo është një garë, që do t’i shërbejë PD dhe strukturave të saj".
 
Në lidhje me LSI ai ka theksuar se "LSI ishte kosto për PD. Ne duhet të bindim shqiptarët se vota nuk është mall që shitet". Ndërsa dy ditë më parë Olldashi e quajti LSI jo një parti politike, por çetë financiare. Ndërsa nënkryetari i LSI, Ylli Manjani i pyetur për këtë deklaratë u përgjigj: "Kumari dhe kumarxhinjtë janë dënuar nga populli me votë".

Demokratët janë thirrur të zgjedhin sipas parimit një anëtar një votë, pasardhësin e Berishës më 22 korrik.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)