Nga Kukësi, lideri demokrat Lulzim Basha tha para banorëve të zonës, se kur PD të vijë në pushtet, në javën e parë të qeverisë do të heq taksën e rrugës së Kombit. 

"Dua t’u shpreh të gjithë kuksianëve mirënjohjen time të jashtëzakonshme në emër të Partisë Demokratike, në emër të opozitës, për refuzimin masiv që i bënë regjimit të Edi Ramës më 30 qershor. Kukësi, natyrisht, i ka prirë betejës për liri, për demokraci dhe për mundësi të barabarta në ligj për çdo qytetar, me revoltën kundër taksës së rrugës.  Dua të rikonfirmoj vendosmërinë tonë për të hequr traun e Rrugës së Kombit në javën tonë të parë në pushtet. Sikundër u kam kërkuar të gjitha strukturave të Partisë Demokratike të bëhen gati që, së bashku me qytetarët e Kukësit, me gjithë qytetarët shqiptarë ta kthejmë shumicën “Rama ik” të 30 qershorit, në shumicën e një ndryshimi të thellë ekonomik dhe politik për çdo shqiptar, për t’i dhënë fund emigracionit dhe kurbetit që po e tret Kukësin, për t’i kthyer pasuritë e shqiptarëve; rrugët, bregdetin, minierat, pyjet, të gjitha pasuritë e këtij vendi të bekuar nga Zoti, në funksion të mirëqenies dhe punësimit të shqiptarëve. Punësimi i shqiptarëve, mirëqenia e shqiptarëve, punësimi i kuksianëve, mirëqenia e kukësianëve janë objektivi dhe prioriteti më madhor i Partisë Demokratike dhe i imi personalisht", - tha Basha.

Më herët, kryedemokrati Lulzim Basha u ndal në Tropojë nga ku vijoi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij. Basha tha se Rama i ka dhënë pasuritë e vendit klientëve të vet duke shkaktuar më shumë varfëri për popullin.

Ai e quajti vendimin për të mos marrë pjesë në zgjedhje si pjesë e aksionit për t'i rikthyer shqiptarëve të drejtën për të zgjedhur me votë parlamentin dhe pushtetin vendor që meritojnë.

 “Vetëm Veliera e Durrësit ka kushtuar më shumë sesa ç’ka marrë investime i gjithë qarku i Shkodrës. Ky është aparteid. Pasuritë minerale, bregdetin, pyjet, gjithë ekonominë ua ka dhënë për dy lekë klientëve të vet, oligarkëve dhe të fortëve, më të cilët grabit vendin. Pasuritë natyrore, mineralet mbanin dikur ekonominë dhe ushqenin Shqipërinë, kurse sot nga to nuk merren as taksa dhe asnjë përfitim për shqiptarët, por vetëm pasurim për oligarkët grabitqarë.

Ato kanë prodhuar miliona për klientët e Ramës dhe më shumë varfëri për popullin. Këto politika grabitqare po shkatërrojnë turizmin dhe ekonomitë e vogla familjare për të pasuruar klientët grabitqarë të Ramës.

Bregdetin ua ka vjedhur qytetarëve dhe ia ka dhënë me vendime speciale oligarkëve, që kanë ndërtuar në toka të vjedhura buzë detit. Ka marrë pyjet dhe ua ka dhënë për dy lekë oligarkëve. Pyjet kanë qenë të shqiptarëve tani janë të oligarkëve. Lumenjtë, kanionet, ujëvarat po ua merr shqiptarëve dhe po ua jep oligarkëve për hidrocentrale dhe betonizim. Ato kanë qenë të shqiptarëve, tani janë të oligarkëve grabitqarë. Vendimi për mospjesëmarrjen në farsën e 30 qershorit ishte vendim politik unanim për të vazhduar betejën, për të arritur objektivin tonë, largimin e kësaj qeverie dhe këtij kryeministri, rikthimin e të drejtës shqiptarëve për të zgjedhur me votë parlamentin dhe pushtetin vendor që meritojnë” - tha Basha.