TIRANË, 8 shkurt/ATSH/-Kryetari i Partisë Demokratike dhe njëherazi kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka bërë homazhe pranë trupit të pajetë të ish-kryebashkiakut të parë të Tiranës, Sali Kelmendi, i cili u zgjodh me votën e lirë të kryeqytetasve.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, nëpërmjet një statusi në faqen e tij Facebok shpreh ngushëllimet dhe mirënjohjen për kontributin që Sali Kelmendi dha për Tiranën, duke pohuar se "Sot përkulem me nderim dhe respekt të thellë para kryetarit të parë të Bashkisë së Tiranës, të zgjedhur me votë lirë dhe demokratike, Sali Kelmendi. Një njeriu, një qytetari, kryefamiljari dhe qytetarit të parë të Tiranës, i cili si për familjen, për komunitetin ashtu edhe për qytetarët e Tiranës, e pati gjithmonë derën e hapur dhe zemrën e ndjeshme. Shërbeu me devocion, me përkushtim në kohë të vështira, kufizimesh të mëdha, mundësish të pakta, nevojash dhe sfidash të mëdha për qytetin e Tiranës dhe për qytetarët e këtij qyteti dhe e vazhdoi këtë shërbim si nëpunës civil i qytetit i rangut më ekselent, deri në fund".
"Qytetarët e Tiranës do të jenë përjetë mirënjohës njeriut që vuri themelet e llogaridhënies demokratike, njeriut që shërbeu duke mos harruar për asnjë çast qytetarin, hallet dhe problemet e tij, vështirësitë e tij, duke mos harruar asnjëherë të dëgjojë, e t'i shohë këto probleme edhe kur mundësitë për t'ju ardhur në ndihmë ishin të kufizuara. Pra, kryeqytetarin që në radhë të parë ishte njeri, me zemrën e dhembshur por me një vullnet dhe integritet të palëkundur për të nisur rrugën e transformimeve demokratike në kryeqytet", shkruan Basha ne faqen e tij Facebook./i.v//a.ke/









