TIRANË- Eduart Selami, është i pari nga të larguarit e PD-së që rikthehet në selinë blu, në një takim me kryedemokratin Lulzim Basha.

Rikthimi i të larguarve nga PD-ja ka qenë një nga pikat kryesore të platformës së realizuar nga partitë aleate, e cila duket se ka nisur të zbatohet nga Basha. Selami ka qenë një nga kritikët më të ashpër të kryedemokratik dhe "rivali" për t'i marrë postin e kryetarit të Partisë Demokratike në korrik të 2017, por doli i humbur në një proces votimi i kontestuar nga ish-anëtarët e Këshillit të PD-së.

Megjithatë, ai është parë ditën e sotme në selinë e PD-së, i buzëqeshur teksa mësohet se në fokus të këtij takimi ka qenë bashkimi i kontributeve për PD dhe opozitën, por nuk ka ende asnjë të dhënë konkrete.  Zërat janë edhe për afrimin në PD-në edhe të Gazment Oketës.

Pak ditë më parë, aleatët i paraqitën një platformë me 7 pika, ku dy pikat kryesore kanë qenë për të afruar të gjithë të larguarit nga PD-ja në të gjithë legjislaturat dhe krijimi i një senati opozitar, në përbërje të së cilit duhet të jenë intelektualë dhe figura të shquara jashtë vendit.