Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha ka ironizuar sloganin e fushatës elektorale të PS për zgjedhjet e 11 Majit. Në një postim në rrjete sociale, Basha shprehet se slogani ‘tregon’ se vetëm me Edin mund të vazhdojë korrupsioni, varfëria dhe largimi i rinisë nga vendi.

“Slogani “Vetëm me Edin” ka një të vërtetë të madhe brenda: vetëm me Edin mund të vazhdojë korrupsioni, varfëria dhe largimi i rinisë, sepse vetëm ai s’ka shkuar ende te shokët tek 313…

Voto Nr. 4 – Koalicioni Euroatlantik”, shkruan Basha.

Report TV raportoi më herët se slogani që do të shoqërojë Partinë Socialiste gjatë fushatës zgjedhore për 11 majin ishte “Shqipëria 2030 në BE, vetëm me Edin dhe PS”.

Në foton e sloganit, dallohet pasaporta me shqiponjën, në krye të së cilës shkruhet  “Republika e Shqipërisë” dhe “Bashkimi Europian”, që lidhet me premtimin se vetëm Rama e PS do të mundësojnë integrimin evropian të Shqipërisë.