Basha:Ja c’duhet të bëjë qeveria 
që ne të rikthehemi në Parlament

Basha:Ja c’duhet të bëjë qeveria <br />që ne të rikthehemi në Parlament
TIRANE - Jeta parlamentare mund të rikthehet, në momentin që mazhoranca të pranojë të drejtat kushtetuese, të respektojë rregulloren e Kuvendit, të jetë e gatshme për debat. Këto janë disa nga kushtet që kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar në përfundim të mbledhjes së kryesisë së PD, të thirrur pas përplasjeve mes deputetëve demokratë për bojkotin.

Basha duke justifikuar vendimin e lënë në fuqi për vijimin e bojkotit u shpreh se Rama kërkon një opozitë dekorative, ndërkohë që nuk i lejohet asnjë e drejtë që ia jep rregullorja e parlamentit apo Kushtetuta.

Në kuvend opozitës nuk i jepet e drejta Kushtetuese për Komision Hetimor thotë Basha, por edhe nëse e fiton në Gjykatën kushtetuese kjo e drejtë sërish nëpërkëmbet, dhe nëse dikush ngre zërin, ai goditet.  

“Cili është roli i opozitës në një Kuvend, ku Kushtetuta është viktima e parë. Dhe kur opozita ngre zërin për këtë, deputetët goditen. Ka një oligarki që nuk do opozitë parlamentare, por do një dekor. Kundër kësaj nuk janë vetëm demokratët por të gjithë qytetarët. Kur opozitës i hiqet e drejta për komisioni hetimore, edhe kur çështja fitohet në Gjykatën Kushtetuese nëpërkëmbet. Kur fut të dënuarin për prostitucion e rrëmbim në parlament për ta përdorur si xhandar kundër opozitës, cili është roli i opozitës në këtë Kuvend.”- tha Basha

Një nga rreziqet e mëdha të oligarkisë, shton ai, është pandjeshmëria për të vërtetën, pasi kur faktet e shifrat flasin vetë, oligarkët ndryshojnë realitetin.

“Pasiguria është pasojë e një regjimi oligarkik, që e bën të pamundur që  qytetari të japë llogari e të kërkojë përgjegjësi përmes votës. Ruajmë atë çfarë ka mbetur nga koncepti i parlamentarizmit. Qëndrimi ynë i artikuluar qartë.”- shtoi Basha.

Fatmir Mediu: Debati politik i opozitës duhet të zhvillohet në Kuvend
“Parlamenti mendoj se duhet të jete vendi ku opozita duhet të zhvillojë debatin politik. Kuvendi nuk është braktisur, por për momentin kemi qëndrim të kushtëzuar”- ka deklaruar kreu i Partisë Republikane pas përfundimit të mbledhje së kryesisë së PD, ku ka marrë pjesë.  

Ndërkohë që ai shprehet se është e turpshme që Rama tenton të krijojë opozita informale dhe se rolin e opozitës nuk e përcakton kryeministri.

“Dje vendosëm të ndjekim axhendën e parlamentit me grupet e interesit. Do thotë angazhim konkret për të mbajtur një qëndrim, por kjo s’do të thotë se do ketë parlament paralel. Opozita mori qëndrimin për të qëndruar jashtë parlamentit dhe është detyrë e saj që të informonte të gjithë se Parlamenti po shkel Kushtetutën. Ky është vendim i kushtëzuar për të qëndruar jashtë parlamentit.”-ka sqaruar Mediu.

Dekretet e Nishanit, Basha: U rrëzuan pa asnjë argument logjik dhe ligjor
Kthimin e ligjeve me dekret nga ana e Presidentit dhe rrëzimi i tyre nga ana e mazhorancës është diçka që ka ndodhur edhe më parë dhe do ndodhë sërish u shpreh Basha, por sipas tij është e papranueshme hedhja poshtë e dekreteve të Presidentit pa pasur asnjë argument.
 
“Jemi dëshmitare që në 23 vite ka ndodhur dhe do të ndodhë që Presidenti kthen prapë ligje të Parlamentit, ashtu siç ka pasur dhe do të ketë edhe raste të rrëzimit të tyre. Por është e papranueshme hedhja poshtë e dekreteve të Presidentit pa asnjë argument logjik apo ligjor.”-tha Basha.
 
Sipas tij Presidenti Nishani i bëri publike argumentet e tij dhe mazhoranca pati shansin që të merrte një për një argumentet e Presidentit dhe të shikonte mundësinë për t’i përmirësuar. Ndërkohë ai shprehet se është indinjues argumenti që u përdor dje është se Nishani është zëdhënës i Partisë Demokratike.

“Këtu nuk bëhet fjalë për nxitimin e Qeverisë për të kapur KLD, apo për të kaluar reformën territoriale, por bëhet fjalë për një parim të jetës parlamentare. Teza nga e cila u nis PS është teza e turpshme e Ramës nuk kemi kohë për të humbur me PD. Tregon mllefin dhe dëshirën për të mos dëgjuar. Indinjuese për PD që argumenti që u përdor dje është se Nishani është zëdhënës i Partisë Demokratike.”- u shpreh Basha.
 
Gjithashtu gjatë daljes së tij për mediat, Basha rikonfirmoi vendimin se 5 ligjet e kaluar nga shumica do të t’i ankimojnë në Gjykatën Kushtetuese.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

'Bardhi pa kokërr leku', Sara tregon mes lotësh momentin e vështirë dhe kush i ndihmoi për qiranë

'Bardhi pa kokërr leku', Sara tregon mes lotësh momentin e vështirë dhe kush i ndihmoi për qiranë