TIRANË- Kryeministri Edi Rama i ka kthyer përgjigje opozitës me në krye Lulzim Bashën të cilët në deklaratat e tyre të fundit kanë përsëritur njëzëri rritjen e numrit të testimeve. Shefi i kabinetti qeveritar shprehet se një gjë e tillë është përcaktuar nga ekspertëve e Komitetit Teknik, dhe se politika duhet të bëjë një hap pas në këtë drejtim. Nuk ka nguruar të bëjë edhe ironi me Bashën, sa i përket ngatërrimit që ky i fundit ka pasur në më herët me tabelën e shumëzimit.

"PD s'mund të japë mend as për tabelën e shumëzimit, jo më për strategjinë e testimit! Strategjia e testimit është detyrë e Komitetit Teknik që udhëheq luftën në vijën e zjarrit. Detyra e politikës, qeverisë a opozitës është të dëgjojë dhe mbështesë ekspertët. Të tjerat janë 7x7=42", shkruan Rama.

Postimi i plotë i kryeministrit Edi Rama

Ky reagim vjen pas deklaratës së kryedemokratit Lulzim Basha, i cili ditën e djeshme tha se numri i ulët i testimeve fsheh të vërtetën dhe kushton jetë, prandaj qeveria duhet të veprojë tani ose sipas tij do të jetë shumë vonë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:51
Basha i përgjigjet Ramës për numrin e testimeve: Mos u fsheh pas komitetit teknik dhe lëri sulmet ndaj opozitës

Teksa  kryeministri Edi Rama tha se sasia e testimeve nuk përcaktohen nga politikanët, por nga ekspertët, kryedemokrati Lulzim Basha vijon të theksojë se kjo deklaratë është tregues se qeveria është e papërgjegjshme! Në përgjigje të kryeministri Edi Rama, Basha i kërkon që të lërë sulmet ndaj opozitës dhe të mos fshihet pas një komiteti teknik.

"Testimi masiv është e vetmja mënyrë për të zbuluar sa thellë është futur virusi në familjet tona. Pa testuar, pa gjurmuar, pa izoluar, pasojat do të jenë shumë të rënda! KM po fshihet pas një komiteti teknik, me shpresë që njerëzit mos ta shohin se sa i papërgatitur është. Është përgjegjësi e qeverisë që të mbrojë shëndetin e njerëzve, të pajisë me mjetet e duhura ekipet mjekësore dhe të mbajë në këmbë ekonominë. Sulmet kundër opozitës nuk i fshehin dot dështimet e tij", tha Basha.