TIRANE- Pas prezantimit të progres-raportit për Shqipërinë, kreu i Partisë Demokratike është ndalur tek çështjet kryesore të paraqitura, si dhe tek bojkoti i opozitës. Basha thotë se opozita do të kthehet në Parlament nëse kryeministri Rama reflekton lidhur me qëndrimet e qeverisë ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe për denoncimet e bëra vazhdimisht nga PD për të inkriminuarit në Parlament. Në këtë mënyrë, Basha i përgjigjet edhe deklaratës së bërë më herët gjatë ditës së sotme nga kryeministri Rama, se “nuk e dinë se çfarë kërkon opozita”.

"Për fat të keq kryeministri i vendit edhe sot bëri strucin. Nuk e di, tha, çfarë do opozita. Nuk e lexon dot në raport, veshët e tij nuk e dëgjojnë dot se çfarë thotë Brukseli se çfarë i tha sot edhe miku i tij Fyle nga aula e parlamentit europian, se çfarë i thanë europarlamentarët, se çfarë i thotë komisioni se çfarë i ka thënë dhe i thotë opozita në mënyrë të përsëritur. Rikthimi i jetës parlamentare mund dhe duhet të bëhet vetëm kur Edi Rama, si përgjegjësi kryesor për situatën e krijuar, të reflektojë, të flasë,  të bëjë një mea-culpa të madhe për  katranosjen që i ka bërë Kuvendit,  në mënyrë që të krijohen premisat  për të shkuar  drejt  një marrëveshjeje shumicë dhe opozitë që do të zgjidhte  njëherë e mirë  çeshjen e sovranitetit  të padiskutueshëm të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, që do të zgjidhte njeherë e mirë çeshtjen e dekriminalizimit të  Kuvendit të Shqipërisë  dhe mbarë administratës publike, duke e çmontuar në themel deri në vidhën e fundit mekanizmin që promovon trafikantë, vrasës, pengmarrës  në Kuvendin e Shqipërisë dhe në administratën shtetërore. Shpresoj ta ketë dëgjuar sot, nëqoftëse jo, transmetojeni prapë nesër", tha Basha.
 
Kreu i PD tha se progres-raporti thekson rëndësinë e dialogut politik, duke u shprehur se integrimi evropian kërkon bashkëpunim me opozitën. Basha: Brukseli foli qartë, Rama të mos bëjë strucin‏
 
“Mesazhet për perkeqësimin e situatës politike janë të qarta. Qeveria thuhet në raport, ia përsëriti edhe komisioneri Fyle sot, ka përgjegjësinë të krijojë të gjitha kushtet që opozita të luajë rolin e saj mbikqyrës në parlament. Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për rolin mbikqyrës të opozitës në Parlament është një hap dhe hapi tjetër ka të bëjë pikërisht me adresimin e problemit të dhunës së organizuar apo organizimit të dhunës kundër opozitës në Kuvend. Që reformat të jenë të qëndrueshme dhe thelbesore duhet të jenë domosdoshmërisht gjithpërfshirëse dhe konsensuale. Duhet dialog dhe konsensus për reformat që na çojnë drejt BE-së. Apo, siç ua kemi thënë zotërinjve apo përsëritur shpeshherë edhe nga kjo dhomë, në Bruksel shkohet me opozitën jo kundër saj, me qytetarët shqiptarë dhe jo kundër interesave të tyre, me Kushtetutë dhe zbatim të ligjit dhe jo në shkelje të tyre”, tha Basha.