Basha “shkund” deputetët: Do
raportoni te departamentet 

Basha “shkund” deputetët: Do<br />raportoni te departamentet 
TIRANË  - Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka kërkuar dje nga deputetët, që të raportojnë te departamentet çdo projektligj të qeverisë. Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura në selinë e PD, të kryesisë së grupit parlamentar, mësohet se lideri demokrat Basha e ka vënë theksin te beteja e fortë parlamentare që duhet të bëjë opozita gjatë sesionit të ri. Për këtë qëllim, Basha ka insistuar për një ndryshim në marrëdhëniet mes strukturave në Partinë Demokratike, duke bërë që deputetët të raportojnë pranë departamenteve për ndryshimet ligjore që propozon si qeveria ashtu edhe parlamenti. Kjo mendohet t’i zgjojë deputetët nga “letargjia” e zakonshme, kryesisht në komisionet parlamentare, por edhe për të vënë në punë departamentet, stafet e të cilëve janë kritikuar për rendiment të dobët në vitin e parë pas konstituimit të tyre. Kësisoj, deputetët demokratë do të ndjekin me vëmendje çdo projektligj që qeveria dhe deputetët e mazhorancës, do të çojnë për diskutim në Kuvend, në mënyrë që t’ia përcjellin 22 departamenteve. Dhe këta të fundit, paralelisht me diskutimet e projektligjeve, në komisionet parlamentare, do të përgatisin oponencën në komisionet e ngritura pranë PD. Nga ku do të dalë edhe qëndrimi zyrtar i PD, për pikat e projektligjeve që bien ndesh me interesat e qytetarëve.  
 
Basha
Kryetari demokrat, Basha kërkoi dje nga kryesia e grupit parlamentar që PD t’i bëjë oponencë të fortë çdo projektligji që do të çojë qeveria në Kuvend, për të mbrojtur, sipas tij, interesin publik. “Duhet të jemi një zë i fortë në mbështetje të shqetësimeve të qytetarëve shqiptarë. Prandaj për këtë qëllim është i domosdoshëm një koordinim më i mirë i punës së grupit parlamentar, për të mbajtur një qëndrim të unifikuar ne si opozitë ndaj çdo projektligji të qeverisë. Rritja e opozitarizmit me nisjen e sesionit të ri politik dhe ndërveprimi i grupit parlamentar me departamentet e ngritura pranë PD, për trajtimin e çështjeve kyçe që shqetësojnë qytetarët, duhet t’i shërbejë intensifikimit të punës opozitare”, mësohet të jetë shprehur kryetari i PD, Lulzim Basha. Gjithashtu, kryetari demokrat ka kërkuar përcaktimin e kalendarit të punës së komisioneve të ngritura pranë PD, posaçërisht për të diskutuar projektligjet e qeverisë, për hartimin e detajuar të oponencës për çdo propozim të qeverisë që mbërrin në komisionet parlamentare.     
 
Akti Normativ
Opozita do të mbajë një qëndrim të fortë kundër Aktit Normativ për ndryshimet në buxhet. Pas miratimit nga qeveria 1 muaj më parë, drafti pritet të mbërrijë në Kuvend gjatë muajit shtator. Kryetari i PD, Lulzim Basha ka dhënë dje porosi të prerë për deputetët e grupit parlamentar, duke ngarkuar anëtarët demokratë të komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, për të denoncuar fuqishëm shkurtimet buxhetore që parashikon Akti Normativ.
 
“...ndërveprimi i grupit parlamentar me departamentet e ngritura pranë PD, për trajtimin e çështjeve kyçe që shqetësojnë qytetarët, duhet t’i shërbejë intensifikimit të punës opozitare”
 
22 departamentet
“Departamentet që funksionojnë tashmë prej 1 viti në PD, janë ndryshe “qeveria hije” e opozitës. 22 departamentet mbulojnë çdo fushë të jetës së vendit, dhe qëllimi i tyre është hartimi i platformave si dhe organizimi i oponencës ndaj projektligjeve të mazhorancës” 
 
Kryesia e vogël
“Kryesia e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike përbëhet nga kryetari i PD, nënkryetari dhe kryetari i grupit parlamentar, Sekretari i Përgjithshëm si dhe, kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve të Kuvendit. Roli i saj është koordinimi i punës së opozitës në Parlament”.
 
Koordinimi
“Basha ka insistuar për një ndryshim në marrëdhëniet mes strukturave në Partinë Demokratike, duke bërë që deputetët të raportojnë pranë departamenteve për ndryshimet ligjore që propozon si qeveria. Kjo mendohet t’i zgjojë deputetët nga “letargjia” e zakonshme”
 
Shkrimi u publikua sot (01.09.2015) në Shqiptarja.com, versioni print
 
Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)

 
 
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Debati në ‘Frontline’/ Baçi: Rama përdor drejtësinë për të goditur PD! I kthehet Lita: Gjyqtarët që dënuan Salianjin iu dhanë vulën

Debati në ‘Frontline’/ Baçi: Rama përdor drejtësinë për të goditur PD! I kthehet Lita: Gjyqtarët që dënuan Salianjin iu dhanë vulën