Rritja e çmimit të karburantit 2-herë brenda pak ditësh, me argumentin e luftës në Lindjen e Mesme, për ekspertin Fatos Çoçoli, është hapur një abuzim.
“Ajo naftë që u shtrenjtua, nuk u prit as pesë ditë nga konflikti, nuk ishte naftë që erdhi me çmimin më të lartë nga tregu. Nuk ishte një naftë që vjen dhe brenda 24 ore shkon tek pompat e pikave me pakicë. Ajo naftë ka javë që qëndron në Shqipëri dhe është blerë me një çmim të dukshëm më të ulët sesa ky çmim i sotëm për shkak të luftës në Iran”, thotë Çoçoli në Report Tv.
Kurse eksperti i ekonomisë Klodian Muço, thotë se këto janë pasojat e shkatërrimit të rafinerive të naftës që i kishim në Shqipëri në vitet 90’.
“Në qoftë se situata do vazhdojë, patjetër që Shqipëria nuk ka sesi si të evitojë. Për fat të keq ne jemi një vend që importojmë 100% të naftën e përpunuar. Pra, për fat të keq neve dhe pse pas në të kaluarën para viteve 90 kishim disa rafineri aktive tashmë i kemi çuar për skrap dhe në të tilla kushte bëjnë që ne jemi të ekspozuar 100% nga çmimet e bursës”, shprehet Muço.
Eksperti Çoçoli kërkon që inspektoratet të ndërhyjnë pasi në tregun e hidrokarbureve s’ka transparencë.
“Tregu i hidrokarbureve është në një pozicion në gjykimin tim të kartelit. Kartel është një marrëveshje e fshehtë. Mjafton të shikojmë tregun e ngjashëm në vendet shumë të ngjashme për nga fuqia blerëse me ne, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, ne shikojmë që atje çmimi i pakicës lëviz ndjeshëm nga një operator që shet me pakicë në një tjetër. Këtu tek ne çmimi i pakicës është shumë i ngurtë”, thotë Çoçoli.
Por a rrezikon Shqipëria të futet në krizë çmimesh siç kur nisi lufta në Ukrainë?
“Nuk jemi në situatën e shkurtit të 2022-it. Pra, e para Irani nuk është Ukraina që ishte prodhuesja dhe eksportuesja e tretë në botë e drithit. Irani nuk është Ukraina që ishte prodhuesja dhe eksportuesja e katër. Vërtetë aty është një damar shumë i ndjeshëm. Por vetëm për karburantet. Kuptohet që në qoftë se rriten karburantet rriten menjëherë edhe të tjerat, por ama nuk jemi në një situatë që zinxhiri i furnizimit i lëndëve kryesore të preket dhe rritet ndjeshëm”, thotë eksperti Fatos Çoçoli.
Lajmi kryesor:
Ekskluzive/ Qeveria thërret në takim kompanitë e karburanteve, 1 javë pas luftës në Lindjen e Mesme çmimi i naftës u shtrenjtua deri në 10 lekë litri








