Ka zgjatur rreth një orë takimi në selinë blu mes kryedemokratit Lulzim Basha dhe krerëve të degëve të PD-së. Burime bëjnë me dije se në takim u diskutua rreth problematikave të hasura në zgjedhjet e 25 prillit, ku Basha ka porositur krerët e degëve që të evidentojnë çdo parregullsi që ka patur gjatë procesit si dhe të mbajnë të karikuara strukturat. Pavarësisht se shumë demokratë ia kanë faturuar atij humbjen e PD në zgjedhje, Basha duket se nuk i njeh asnjë përgjegjësi vetes, ndërsa  ka theksuar në mbledhje se do të bëhet një analizë nëse kandidatët për deputetë kanë punuar vetëm për emrin e tyre apo edhe për partinë.

Ndryshe nga një pjesë e demokratëve të zëmëruar dhe zhgënjyer me humbjet e njëpasnjëshme, të Lulzim Bashës në zgjedhje ku i kërkojnë largimin nga drejtimi i PD, në takimin krerët e degëve nuk e kanë kërkuar këtë gjë, madje sipas burimeve ato nuk dëshirojnë një largim të Bashës në këto momente pasi në korrik do të mbahen zgjedhjet brenda PD.

PD doli forcë e dytë në zgjedhjet e 25 prillit, por prej disa ditësh tashmë, ata kanë hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama se ka manipuluar procesin dhe se ka përdorur edhe institucionet shtetërore.

Ndërkohë, më herët gjatë ditës së sotme, Basha zhvilloi një takim me shefen e misionit të OSBE/ODIHR, Ursula Gacek dhe më pas me Ambasadorin Italian, Fabricio Buci. Fokusi i takimeve ishin pikërisht zgjedhjet e 25 prillit, në një kohë kur OSBE-ODIHR pritet që të nxjerrë raportin përfundimtar mbi parregullsitë dhe rekomandimet e tyre mbi procesin zgjedhor. Në raportin paraprak, OSBE dhe Këshilli i Evropës deklaroi se po rivendoset besimi te zgjedhjet duke theksuar se procesi i votimeve në 25 prill ishte transparent dhe i qetë.

Kujtojmë se humbja e PD në zgjedhje 'trazoi ujërat' brenda kësaj partie, ku shumë demokratë ia faturuan humbjen kryedemokratit Lulzim Basha. Para selisë blu janë zhvilluar protesta nga demokratë të zhgënjyer të cilët kërkojnë jo vetëm largimin e tij, por dhe hapjen e partisë dhe debatit politik brenda saj.

Por Basha iu përgjigj sot shkurt dhe qartë të gjithë kritikëve dhe kërkesës së tyre për dorëheqje ku tha për gazetaren e "Report TV", Danjela Maloku, se “beteja do të vazhdojë deri në fitore”, duke lënë të nënkuptuar se nuk ka plan të largohet nga drejtimi i PD-së.

Me herët, Edith Harxhi, Endira Bushati, Bujar Nishani, Ibsen Elezi, Bislim Ahmetaj, Arben Imami, Arben Ristani, Edvin Kulluri, Pirro Ahmetaj dhe Endrit Hoxha përmes një deklarate janë shprehur se Lulzim Basha ka dëmtuar opozitarizmin në vend duke e lënë atë në dorën e Ramës.  Ndër të parët të cilët kanë kërkuar shkarkimin e Bashës ka qenë anëtari i Kryesisë, Fatbardh Kadilli, më pas ish-presidenti Bujar Nishani, ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD Edvin Kulluri dhe shumë të tjerë.