TIRANË- Pasi i shpjegoi strukturave drejtuese arsyet përse mori vendimin për të përjashtuar nga grupi parlamentar demokrat Sali Berishën, Lulzim Basha kërkon që mesazhi i tij se nuk kishte zgjidhje tjetër, të përcillet edhe në opinionin publik.

Në mbledhjen rreth 1 orë e gjysmë gjatë paradites të së hënës me të besuarit e tij, Enkelejd Alibeajn, Alfred Rushajn, Gazment Bardhin, Tomorr Alizotin, Belind Këllicin, Ervin Salianjin, Jorida Tabakun e Agron Gjekmarkajn Basha u kërkoi të mbajnë peshën kryesore në debatin mediatik për situatën e PD.

Pas takimit, Agron Gjekmarkaj u shpreh se Basha nuk kishte shteg tjetër përballë kërkesës së Departamentit Amerikan të Shtetit.

" S'kishte vendim tjetër, mundësi tjetër Lulzim Basha dhe PD , por vetëm shtegu për të kaluar. Berisha është personalitet i madh në politik, betajet e tij për statut janë të vogla", tha Gjekmarkaj.

Berisha ka deklaruar se nuk do ta pranojë vendimin e kryedemokratit për ta përjashtuar nga grupi parlamentar. Mbetet të shihet nëse deklaratën që duhet të dorëzojë në Kuvend për përkatësinë e tij në Grupin Parlamentar, Berisha do të deklarojë se i përket grupit të PD, duke e shfrytëzuar për t’i përcjellë një tjetër mesazh Bashës se do të refuzojë t’i nënshtrohet vendimit të tij.

Ndërkohë, burime bëjnë me dije se pasdite se Basha do të mbledhje edhe grupin parlamentar. Kjo mbledhje vjen pak orë para seancës parlamentare ku priten që të miratohen strukturat e reja të parlamentit.