Basha mbyll protestën pas 3 orëve, refuzon thirrjet e ndërkombëtarëve: Nuk ka forcë të na detyrojë të ulemi të bëjmë pazare me të keqen

Mbërritja në selinë e Partisë Demokratike shënoi përmbylljen e protestës së opozitës që këtë të hënë u mbajt në formën e një marshimi në 5 institucione, kryeministria, Policia e Shtetit, Parlamenti, Ministria e brendshme dhe Policia e Tiranës. Në fjalimin përmbyllës, nën reshjet e shiut që karakterizuan këtë protestë, lideri demokrat Lulzim Basha falenderoi pjesëmarrësit në protestë nga të gjitha qytetet e Shqipërisë.

"Sot treguam se nuk ka forcë mbi tokë të na ndalë në kauzën tonë për zgjedhje të lira e të ndershme, se nuk ka forcë të na detyrojë të ulemi dhe të bëjmë pazar e kompromis me të keqen. E keqja do të ikë, e keqja duhet të ikë, për t’i hapur vend Shqipërisë si e gjithë Evropa. Ndaj, në një kohë kaq të shkurtër, me një njoftim prej vetëm 24 orësh, në mbi 3 orë ku s’ka pushuar shiu i bekuar asnjë sekondë, në përfundim të kësaj proteste marshim, jemi edhe më të vendosur, edhe më të qartë, edhe më të bashkuar, për të sakrifikuar gjithçka për demokraci, për liri. Rama ik!" - tha Basha, duke i kthyer kështu në mënyrë indirekte një përgjigje edhe ndërkombëtarëve, që njëzëri i bënë thirrje opozitës jokuvendore t'i japë fund protestave të dhunshme dhe të ulet në dialog konstruktiv për të zgjidhur ngërçin politik.

Fjala e plote e Bashes

Mirënjohje për ju zonja dhe zotërinj, qytetare e qytetarë, vëllezër e motra. Shqipëria e as Evropa nuk e kish njohur ndonjëherë këtë qëndresë dhe vendosmëri. Për mbi 3 orë litarët e shiut e lidhën shpirtin tuaj me shpresën që buron nga Zoti lart në qiell, me besimin tek vetvetja dhe tek njëri-tjetri, me bindjen se Shqipëria nuk do të kthehet më kurrë atje ku ishte vetëm 3 muaj më parë, nën thundrën e errësirës, krimit dhe korrupsionit.

Mirënjohje për të gjithë ju, për qindra e mijëra burra dhe gra, të rinj e të reja, pjesë e këtij marshimi madhështor proteste. Mirënjohje e veçantë për të gjithë agjëruesit e Ramazanit, Zoti jua shpërbleftë këtë sakrificë të dyfishtë sonte. Mirënjohje për të gjithë ata që ju bashkuan qytetarisë së Tiranës, nga Shkodra, Vlora, Saranda, Tropoja, Devolli, Korça, nga të gjitha anët e vendit, nga Kukësi dhe Dibra, nga Hasi, Mati, nga Erseka, nga Elbasani, nga Lushnja dhe Fieri, nga Berati dhe Librazhdi, dhe natyrisht nga gjithë qytetet dhe fshatrat e tjerë të Shqipërisë. E në veçanti një mirënjohje mikpritësve të kësaj proteste, qytetarisë së Tiranës.

Sot treguam se nuk ka forcë mbi tokë të na ndalë në kauzën tonë për zgjedhje të lira e të ndershme, se nuk ka forcë të na detyrojë të ulemi dhe të bëjmë pazar e kompromis me të keqen. E keqja do të ikë, e keqja duhet të ikë, për t’i hapur vend Shqipërisë si e gjithë Evropa. Ndaj, në një kohë kaq të shkurtër, me një njoftim prej vetëm 24 orësh, në mbi 3 orë ku s’ka pushuar shiu i bekuar asnjë sekondë, në përfundim të kësaj proteste marshim, jemi edhe më të vendosur, edhe më të qartë, edhe më të bashkuar, për të sakrifikuar gjithçka për demokraci, për liri. Rama ik!

Le të jetë e sotmja, mesazhi i vendosmërisë obsolute me të cilën do ta vazhdojmë këtë betejë. Të mbushur me frymëzim dhe shpresë, të vendosur deri në fund, të fortë dhe kurajozë për betejën tonë pa kthim, për liri, për demokraci, për Shqipërinë si gjithë Europa.

Mikrofoni nuk është aq i fortë sa protestuesit. Prej hekuri është, por jo i fortë sa ju.

Forca jonë është bashkimi, forca jonë është pjesmarrja, forca jonë është vendosmëria. Dhe kësaj force nuk i bën dot ballë as Edi Rama, as banda e tij e inkriminuar. Ndaj, le të vazhdojmë rrugën që kemi nisur. Misioni ynë është mision brezash, është mision për të gjithë fëmijët shqiptarë. Është mission për të gjithë ata, të djathtë e të majtë, që sot e kanë kuptuar, se vetëm përmes bashkimit, pjesmarrjes, vendosmërisë, në këtë familje shqiptarësh të lirë, mund dhe do ta gjejmë të ardhmen e tyre, lirinë e tyre, dinjitetin e tyre. Ju ftoj ta mbyllim këtë marshim të paprecedentë proteste, duke kënduar sëbashku himnin tonë kombëtar.


Lajmi kryesor:

VIDEO/ Opozita 3 orë marshim proteste në shi në 5 institucione, pas thirrjeve të ndërkombëtarëve 'zhduket' molotovi


G.M./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

AMF mbledh sektorin financiar për festat! Kaçi: Prioritet zbatimi me transparencë i rregullores së faktorëve të riskut!

AMF mbledh sektorin financiar për festat! Kaçi: Prioritet zbatimi me transparencë i rregullores së faktorëve të riskut!