TIRANE - Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, në një takim sot me misionin e FMN-së akuzoi qeverinë, për mënyrën e sjelljes së qeverisë së re ndaj qeverisjes vendore dhe autonomisë së saj.Në fjalën e tij  Basha tha se problemet që po has sot biznesi janë si rezultat i paketës fiskale të qeverisë, ndërsa shtoi se kjo ka sjellë ulje të buxhetit të bashkive.  

“Shprehje e arrogancës së qeverisë së re është paketa fiskale e cila çoi në rritje të taksave dhe centralizimin e mbledhjes së taksës së biznesit të vogël. Ky vendim i pakonsultuar dhe i pashoqëruar me kompensim financiar ka sjellë mungesë të ardhurash në buxhetet e bashkive dhe komunave të vendit. Nga centralizimi i mbledhjes së të ardhurave nga taksat e biznesit të vogël, vetëm në buxhetin e Bashkisë së Tiranës mungojnë 8% e të ardhurave. Kjo mungesë të ardhurash nuk mund të rikuperohet nga taksa e pronës, e cila u dyfishua në paketën e re fiskale.” tha Basha.

Misioni i FMN-së në Shqipëri drejtuar John Norregaard, ka për qëllim ofrimin e asistencës teknike në sistemin e taksave në administratën tatimore.


Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)