Kreu i opozitës e konsideroi shumë të rëndësishëm raportin e OSBE.ODIHR për zgjedhjet, i cili, sipas tij, ka dokumentuar shqetësimet ngritura nga opozita. Basha deklaroi se raporti konstaton shkelje të rënda, të cilat kanë deformuar vullnetin e shqiptarëve, duke nisur nga shitblerja e votës, presioni mbi zgjedhësit, presioni mbi administratën dhe mbi biznesin, përdorimi masiv i shtetit në shërbim të partisë në pushtet, cënimin e lirisë dhe sekretit të votës, etj.
Gjithashtu, sipas opozitës, raporti evidenton se individë me rekorde të tmerrshme kriminale luajtën një rol domethënës në fushatë, ndërsa kjo u vu re edhe gjatë ditës së zgjedhjeve në bashkëpunimin e kontigjentit kriminal me shtabet e partisë në pushtet.
Basha vlerësoi që këto shqetësime janë tashmë rekomandime prioritare nga OSBE/ODIHR-it. Ai u shpreh se Reforma Zgjedhore është prioritet për Partinë Demokratike dhe është kërkuar të nisë puna menjëherë me nisjen e sesionit të ri parlamentar. Gjithashtu, vonesat dhe mungesa e vullnetin nga ana e qeverisë mund të cënojë procesin për një hartuar një reformë tërësore.
Kreu i opozitës kërkoi mbështetjen dhe ekspertizën e misionit të OSBE/ODIHR-it për implementimin e rekomandimeve. Reforma Zgjedhore duhet të përballet me shumë prej problematikave të shumta të procesit si lista e zgjedhësve, sistemin e adresave, përdorimin e financimeve dhe individëve me rekorde kriminale, përdorimin e pushtetit, votën e emigrantëve dhe mbi të gjitha shit-blerjen e votës.
Votimi dhe numërimi elektronik është kërkesa dhe kushti parësor i opozitës shqiptare. Kreu i opozitës tha se votimi dhe numërimi elektronik do të eleminojë shumë prej problemeve. Basha tha se Partia Demokratike kërkon me ngulm një reformë tërësore që jo vetëm të adresojë e të zgjidhë problemet e mëdha të procesit, por edhe të fuqizojë të drejtën e qytetarëve për të vendosur si dhe të kufizojë pushtetin e kryetarëve të partive. Po ashtu, ngritja e një institucioni të pavarur nga qeveria për të ndalur presionet dhe abuzimet mbi administratën është e domosdoshme, ashtu si ndjekja dhe penalizimi fort i çdo rasti të evidentuar për shit-blerje vote.
Kryetari Basha mori mbështetjen e Ambasadorit Tejler për një bashkëpunim të plotë me OSBE/ODIHR-in, me ekspertët e tyre më të mirë për të asistuar në hartimin e reformës zgjedhore.
d.c./shqiptarja.com









