TIRANE- Në takimin e kryetarit të Parlamentit grek Vangelis Meimarakis me kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha, biseda është fokusuar në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë gjatë drejtimit të Presidencës së Bashkimit Europian nga Greqia.
 
Kreu i PD-së vlerësoi mbështetjen e Greqisë për anëtarësimin në NATO dhe për lëvizjen e lire të qytetarëve shqiptarë në zonën “Shengen”. Basha shprehu mirënjohjen për këtë mbështetje si dhe urimin që gjatë presidencës greke të BE-së, Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat.
 
Duke u ndalur në marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, Basha tha se është bërë progres në lënien pas të problemeve të së shkuarës dhe zgjidhjen e shumë çështjeve që kishin mbetur pezull, dhe në këtë kuadër bëri apel për angazhim të mëtejshëm të dy vendeve e qeverive për të zgjidhur dhe çështje të tjera, si ajo e pronave të qytetarëve çamët e shpërngulur pas luftës së dytë botërore.
 
Gjatë takimit është diskutuar edhe lidhur me vrasjen e shqiptarit Ilia Kareli në burgun e Nigritas në Greqi. Basha vlerësoi vëmendjen e autoriteteve greke ndaj momenteve të veçanta siç ishte rasti fatkeq i Ilia Karelit, dhe shprehu bindjen se drejtësia e vendit fqinj do të bëjë punën e saj për zbardhjen e ngjarjes.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)