TIRANE - Lulzim Basha ka ironizuar deklaratën e djeshme të kreut të parlamentit Ilir Meta i cili tha se dalja në pah e sms së Ministrit Tahiri nga PD, ishte një medalje në gjoksin e Tahirit. Basha i ka cilësuar zyrtarët kryesorë të qeverisë si të një planeti tjetër.

“Ata mund të vazhdojnë të lajnë e të lyejnë njeri tjetrin me skandalin e radhës, siç bëri dje kryetari i Kuvendit në një prononcim që nuk u kuptua, e kishte për tu tallur, apo jeton në një planet tjetër, kur e konsideroi mesazhin e dështimeve një medalje në gjoksin e Tahirit. Kjo bindje përforcohet kur dëgjon Kryetarin e Kuvendit të flasë për konsensusin e dhënë opozitës për reformën vendore, kur vetë kryeministri nga foltorja e Kuvendit deklaroi se konsensusin për këtë reformë shumica e tij nuk e jep me arsyetimin absurd se opozita mund të marrë peng parlamentin. Në fakt, në një planet tjetër nuk e dimë a janë apo jo, por që nuk janë e nuk jetojnë me Shqipërinë, këtë e sheh kushdo që ka sytë në ballë”, tha lideri i opozitës.

"NUK PERGJUAM SMS E TAHIRIT, MINISTRI PRANOI TE VERTETEN E RENDIT"
Kreu i demokratëve ka sqaruar se opozita nuk ka përgjuar askënd dhe se ekzistenca e mesazhit vërteton propagandën e qeverisë, për ta paraqitur rendin në kundërshti me realitetin.
 
“Sipas informacioneve dhe siç duket qartë nga shumë elementë, mesazhin ia ka dërguar kryeministri. Por për ne kjo nuk është thelbësore në raport me përmbajtjen e mesazhit, të cilin ministri u detyrua ta pranojë si të vërtetë. Tre gjëra dëshiroj të nënvizoj  në këtë moment, duke e lenë debatin të zhvillohet lirisht.

E para, opozita merr informacione që zyrtarët e qeverisë i qarkullojnë mes njeri tjetrit apo i postojnë në funksion të lojërave të tyre politike të brendshme, por opozita as nuk përgjon, as do të përgjojë njeri, sepse përgjimi është i përjashtuar parimisht si burim informimi nga ne.

E dyta, ashtu si opozita nuk e ka siguruar e nuk do ta siguronte  kurrë,  me asnjë  formë përgjimi nga ana e saj  informacionin, ky mesazh dhe përmbajtja e tij tregojnë fare qartë se çfarë është problem. Problem është përmbajtja  dhe jo  se  kush e çoi dhe kush e mori. 

E treta, mesazhi, i shkruar dhe i dërguar nga Rama, apo i shkruar dhe i dërguar  nga Tahiri tregon se kryeministri dhe ministri e njohin fare mirë  realitetin e zymtë të dështimeve dhe përkeqësimit tronditës të gjendjes në rendin publik, por e fshehin këtë realitet,  e paraqesin me ngjyra rozë përmes  qeverisjes së tyre propagandistike të mbështetur në gënjeshtrën  dhe mashtrimin.

Përmes mesazhit, ata janë kapur e dorëzuar publikisht si gënjeshtarë dhe mashtrues të dorës së parë. Çfarë do të bëjnë pas kësaj? Opozita  dhe opinioni publik presin gjestin dhe aktin normal që bën në raste të tilla një mashtrues që kapet me presh në  dorë”, - tha Basha.

"RAPREZALJA RAMA-META PO VRET DINJITETIN NJEREZOR, BRUNILDA VIKTIME E SISTEMIT"
Në emër të Partisë Demokratike Basha shprehu ngushëllimet për Brunilda Meko e cila u vetëvra dy ditë më parë për shkak sipas demokratëve të përjashtimit nga puna nga ana e qeverisë. Sipas Bashës dinjiteti i njerëzve po kanoset nga largimet në administratë.

“Jemi në luftë dhëmb për dhëmb  me ta në mbrojte të ligjit, Kushtetutës,  konsensusit.Jemi në mbrojtje  të  një vlerë  të veçantë që është rasti ta nënvizoj sot: të dinjitetet të njeriut që vlen me shumë se gjithçka tjetër. Disa herë në këtë sallë dhe në foltore të tjera, kemi dhëne  alarmin se  raprezalja e verbër Rama-Meta po bën një gjë që nuk e  ka bërë askush para tyre, në asnjë qeveri, në asnjë regjim: po  heq nga puna  gra të moshës së mesme, me  shkollim të rregullt, me dhjetë, pesëmbëdhjetë apo njëzet vjet karrierë, për të hapur vende për  klientelën e tyre, për  të shpërblyer klientelën e tyre, për tju kthyer borxhin atyre që  kanë blerë vota për llogari të tyre, për  t’ua shitur atyre që  paguajnë në dorë.Ky është sistemi i mbyllur që çoi drejt vetëvrasjes Brunildën. Kjo është raprezalja e shurdhër, e verbër, që  nuk sheh fate njerëzish përpara, por vetëm interesa dhe pazare.Ne i kemi bërë disa akuza raprezaljes prej hordhie pushtuese të kësaj qeverie në administratë.Sot e akuzojmë si kriminale me plot gojën dhe me plot kuptimin e fjalës”, përfundoi fjalën e tij në mbledhjen e grupit parlamentar, kreu i PD, Lulzim Basha.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)