TIRANË- Kryetari i PD-së, Lulzm Basha në një takim me Drejtorin për Europën Jugore dhe Qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore ka folur me këtë të fundit për “uzurpimin e kompetencave të Presidentit” dhe “kapjen e institucioneve të pavarura” të vendit.

“Mazhoranca nuk respekton vendimet e gjykatave dhe po cenon mandatin e institucioneve të pavarura duke tentuar kapjen e tyre”, ka thënë Basha duke theksuar se ky është një zhvillim negativ për vendin që vë në rrezik themelet e shtetit ligjor dhe demokracisë në Shqipëri.  

Gjithashtu, kreu i opozitës është shprehur edhe për “rritjen e arbitraritetit dhe dhunimin e të drejtave të qytetarëve, si të drejtën e pronës, duke përfshirë shumë raste dhune e keqtrajtimesh fizike të qytetarëve edhe para mediave.”

Basha ka veçuar çështjen e mosrespektimit të vendimeve të gjykatave nga qeverisë, duke përmendur vendimet e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin e Nëpunësit Civil, apo për tejkalimin e kompetencave të INUK si dhe mosrespektimin nga qeveria të qindra vendimeve të tjera të formës së prerë.

Ndërsa zyrtari i lartë i shtetit, Jonathan Moore nga ana e tij, është shprehur se respektimi i vendimeve të gjykatave është e rëndësishme ndërsa ka shprehur edhe vlerësimin për qendimet e opozitës në favor të integrimit të Shqipërisë në BE. 

Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)