Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me një delegacion deputetësh Gjermanë, anëtarë të Komitetit të Cështjeve Europiane të Bundestag-ut. Kreu i opozitës është ankuar për terrenin që kanë fituar krimi i organizuar dhe trafikantët dhe depërtimin e krimit në nivele drejtuese të administratës dhe deri në Kuvendin e Shqipërisë.

“Zbatimi i marrëveshjes së 24 dhjetorit për dekriminalizimin kërkon vullnet politik dhe vendosmëri” theksoi Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike i njohu deputetët gjermanë me shqetësimet për goditjen e shtetit ligjor dhe zhbërjen e standardeve në themelet e demokracisë, sic janë të drejtat e njeriut, hapësirat kushtetuese të opozitës, kapja e institucioneve të pavarura, largimet masive të nëpunësve publikë dhe zëvendësimi i tyre me militantë.

Basha i falenderoi deputetët gjermanë për mbështetjen e çmuar që Bundestagu dhe Gjermania i kanë dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit europian, në veçanti në marrjen e statusit të vendit kandidat.
 
Deputetët e Bundestagut shprehën vlerësimin për qëndrimin e Partisë Demokratike në mbështetje pa kushte të nismave që kanë të bëjnë me integrimin europian të vendit.


Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)