Basha në Malësinë e Madhe, PD:
FNSH dhunoi banesat e banorëve

Basha në Malësinë e Madhe, PD:<br />FNSH dhunoi banesat e banorëve
MALËSI E MADHE – Pas takimit të kryetarit të Partisë Demoratike Lulzim Basha me simpatizantë në Malësinë e Madhe efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) kanë kryer kontrolle në banesat e personave që morën pjesë në këtë tubim.

Sipas burimeve nga policia, arsyet e këtij kontrolli kanë të bëjnë me faktin se disa pjesmarrës goditën me grushte shefin e komisariatit të policisë, për arsye që ende nuk dihen. Menjëherë ka reaguar edhe Partia Demokratike nëpërmjet një komunikate të zyrës së shtypit duke e cilësuar “reprezaljen e policisë me urdhër të Edi Ramës”.

Selia blu e quajti një presion politik kundër opozitës kontrollin e banesave dhe ky veprim binte ndesh me të drejtat dhe liritë politike të qytetarëve. Partia Demokratike kërkoi që të tërhiqeshin menjëherë urdhëruesit e kësaj ngjarje duke kërkuar nga Prokuroria që të niste hetimet dhe të nxirrte para drejtësisë dhunuesit e banesave.

Policia Shkodër: Kontrolle në banesat e 2 personave të dhunshëm
Mesditën e sotme ka reaguar edhe policia e Shkodrës lidhur me akuzat e Partisë Demokratike në Malësi të Madhe.

Teksa ka hedhur poshtë akuzat e së djathtës për ushtrim dhune ndaj aktivistëve demokratë policia e Shkodrës sqaron dinamikën e ngjarjes.
 
Sipas policisë shtetasit Fabian Popaj dhe Emirjon Hasaj pjesëmarrës në tubim kanë fyer dy punonjës policie në përfundim të mitingut si dhe kanë goditur me grushte efektivin e policisë me iniciale S.K..

Më pas policia sqaron se ka ushtruar kontrolle në banesat e këtyre dy shtetasve, të cilët ende nuk janë ndaluar.


TV Rozafa: FNSH dhunë ndaj grupit tonë të xhirimit 
Lidhur me ngjarjen në Malësin e Madhe ka reaguar edhe televizioni lokal “Rozafa” i cili ka denoncuar dhunën e ushtruar nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë ndaj grupit të saj të xhirimit gjatë prezantimit të kandidatit të Partisë Demokratike Anton Kokaj.
 

Deklarata e plotë e Partisë Demokratike 
Partia Demokratike dënon ashpërsisht raprezaljen e ushtruar sot me urdhër të Edi Ramës pas takimit të kryetarit të Partisë Demokratike në Malësinë e Madhe.  Kontrollet e dhunshme nga efektive të FNSH dhe komisariatit të Malësisë së Madhe në banesat e pjesëmarrësve në takimin e zhvilluar nga Partia Demokratike janë një presion i hapur politik kundër opozitës dhe mbështetësve të  saj.

I bëjmë thirrje ekzekutorëve të këtyre urdhërave të paligjshëm të tërhiqen menjeheëe nga ky dhunim flagrant i të drejtave dhe lirive politike të qytetarëve të konsakruara me Kushtetutë. Në të kundërt, i sigurojmë ata individualisht, një për një se dita kur do të japin llogari do të jetë shumë e afërt.

Partia Demokratike i bën thirrje misionit të OSBE-ODIHR, dhe përfaqësive diplomatike të BE dhe SHBA të monitorojnë nga afër këtë përshkallëzim të dhunës dhe terrorit qeveritar. Ne i bëjmë thirrje organeve të drejtesisë të nisin menjeherë hetimet dhe të venë para përgjegjësisë dhunuesit dhe urdhëruesit e dhunës policore.

Edi Rama ky burracak i pashoq i mbërthyer nga paniku i humbjes  që urdhëron dhunën e terrorin mbi opozitën përmes banditëve dhe kriminelëve dhe përmes keqperdorimit të Policisë së Shtetit e ka kot. Asgjë dhe askush nuk e shpëton dot nga gjykimi popullor me votë në 21 qershor.

Reagimi i plotë i Policisë Shkodër për incidentin në Malësi të Madhe
Policia e Shkodrës hedh poshtë deklaratat e Partisë Demokratike, për ushtrim dhune ndaj aktivistëve të saj. Lidhur me incidentin e ndodhur dje, pas takimit elektoral të PD-së në Malësinë e Madhe, sqarojmë se:

Në datë 09.05.2015 ora 15:30, Dega e Partisë Demokratike e Rrethit Malësi e Madhe njoftoi për zhvillim e një  takimi në orën 17.00 ku do të bëhej prezantimi i Kanditatit për Kryetar Bashkie i këtij Subjekti Politik.  Me gjithë kohën e limituar, nga ana e Policisë u hartua Plani i Masave për zhvillimin normal të takimit.

Pas përfundimit të aktivitetit dhe largimit të Kryetarit të PD-së, z. Lulzim BASHA, mbështetësit e kandidatit, për rreth 20 minuta mbajtën të bllokuar qendrën e qytetit të Koplikut.

Rreth orës 18:00, shtetasit Fabian Popaj dhe Emirjon Hasaj ofenduan me shprehje fyese punonjësit e Policisë, të cilët ndodheshin në detyrë.  Në këtë moment, shtetasit e mësipërm kanë goditur me grusht punonjësin e policisë për shkak të detyrës S.K.

Për këtë veprim punonjësi i Policisë ka bërë kallëzim pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Policia shpalli në kërkim shtetasit Fabian Popaj dhe Emirjon Hasaj. Rreth orës 21:00 u ushtrua kontroll në banesat e tyre, por ata nuk gjendeshin në to. Po punohet për kapjen dhe shoqërimin e tyre për veprime të mëtejshme.

Shtetasi Emirjon Hasaj është proceduar edhe në 27 mars 2015, nga Prokuroria e Shkodrës për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit të Policisë”.

Policia është e vendosur për të garantuar rendin dhe sigurinë, si edhe aktivitetin elektoral të çdo subjekti politik.

Reagimi i plotë i Televizioni Rozafa
Televizioni Rozafa denoncon dhunën e ushtruar nga forcat e ndërhyrjes së shpejtë ndaj grupit të xhirimit të TV Rozafes gjatë prezantimit të kandidatit të Partisë Demokratike Anton Kokaj në qytetin e Koplikut.
 
Dhuna verbale ka nisur që përpara takimit elektoral ku drejtuesit e polisë së shtetit në Malësi të Madhe Shkëlqim Kola më dëtyre shef komisariati dhe oficeri Hasan Rada me dëtyrë shef Rendi në Malësi të Madhe, si dhe oficerit Arben Hasanaj, kanë fikur në mënyrë demonstrative aparaturat e transmetimit direkt pranë studios lëvizëse të Tv Rozafës.
Më pas dhuna ka agravuar gjatë operacionit të FNSH- së në Vukpalaj dhe në Pjetroshan në komunën e Kastratit të drejtuara nga Shkëlqim Kola dhe Hasan Rada efektivët e FNSH- së të maskuara kanë dhunuar operatorin e Tv Rozafës edhe pse ky i fundit ishte disa metra larg banesës ku po ushtrohej kontrolli dhe dispononte badg-in përkatës.
 
Ndërkohë përpara kësaj situate nuk ka patur asnjë reagim nga drejtuesit e operacionit Kolës dhe Rades. Tv Rozafa I bën thirrje policisë së shtetit që të distancohet nga aktet e dhunës dhe ndëshkojë përgjegjësit e dhunës ndaj grupit të xhirimit.  


(v.gj/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

VKM e Qeverisë/ Ndryshon emri dhe numri i Këshillit Kombëtar të Territorit, nga 9 bëhet me 11 anëtarë! Shtohen Mbrojtja dhe Shëndetësia, tani do jetë KKTU

VKM e Qeverisë/ Ndryshon emri dhe numri i Këshillit Kombëtar të Territorit, nga 9 bëhet me 11 anëtarë! Shtohen Mbrojtja dhe Shëndetësia, tani do jetë KKTU