Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një takim me qytetarët në Pogradec foli për alternativën për të cilën po punon Partia Demokratike që sipas tij shkon përtej fasadave.
“Një ditë e bukur sot mes qytetarëve të Pogradecit, pranë njerëzve, për të dëgjuar problemet me të cilat ata ndeshen përditë. Për ne, lufta ndaj krimit dhe korrupsionit është pa kompromis, si një nga shkaktarët kryesorë të situatës së rëndë ekonomike që po kalon vendi sot. Shqipëria ka plot matrapazë që abuzojnë përditë me pasuritë e saj, siç ka dhe politikanë që shkelin mbi interesin e njerëzve për hallet e tyre personale. Ajo që i mungon vendit sot është një alternativë e përgjegjshme, që e çliron potencialin e jashtëzakonshëm të vendit dhe që shkon përtej fasadave, një alternativë e vërtetë për njerëzit. Për këtë po punojmë, për këtë është angazhuar dhe do ta bëjë realitet Partia Demokratike”, u shpreh kreu i PD.