SHKODËR- Lulzim Basha e nisi fushatën elektorale nga Shkodra, një bastion historikisht të djathtë ku prezantoi kandidatin Xhemal Bushati. Pasi bëri një selfie me demokratët për ta pasur si kujtim, Basha nuk i kurseu ‘thumbat për Sali Berishën, tashmë një kundërshtar i tij, duke thënë se shkodranët nuk i gënjeu dot Enver Hoxha e si gënjen dot askush tjetër.

Ai bëri thirrje që të mos votohet modeli i Edi Ramës e i Tom Doshit në bashkinë e Shkodrës, teksa pëpara demokratëve që në këto zgjedhje janë të përçarë theksoi se Bushati është kandidati zyrtar i Partisë Demokratike.

“Është njeriu që është kujdesur me zemër e me shpirt, për qytetarët e Shkodrës, Shkodra do të votojë PD sepse shkodranët që nuk i gënjeu Enver Hoxha nuk i gënjen askush tjetër me asnjë marifet, zotohem që këtë besim të shkodranëve, këtë borxh ta kthejë në një politikë së pari me fytyrë njerëzore, si shpirti i Xhemal Bushatit, vetëm një rrugë modelin e Ramës, e inceneratorëve, e korrupsionit, q shkatërroi ekonominë, vrau shpresën, ka vetëm një mënyrë vota për Xhemal Bushatin, a doni një Shkodër që ka një kryebashkiak që kontrollohet nga Edi Rama dhe Tom Doshi, doni një kryebashkiak që të vendos në bashkinë modelin e tyre, a doni një që ta vendos Shkodrën në axhendat personale të Ramës dhe Tom Doshit, atëherë votoni PD, Xhemal Bushatin, Shkodra është dashni”, tha Basha.

Përpara demokratëve, Bushati prezantoi pikat kryesore ku mbështet programi i tij elektoral. Punësimi, biznesi, arsimi, fermerët , tha Bushati, do të jenë fokus, e ndërsa pati edhe një premtim për shkodranët.

"Do shikojmë nevojat, do rishikojmë buxhetin, do bëjmë më të mirën për Shkodrën, fermerët, bujqit janë pjesa më e rëndësishme e qytetit, ne do të punojmë të gjithë bashkë, të gjithë bashkë mund të bëjmë për naftën, e plehrat, por kanalet ujitëse, plehrat. T’i shërbejmë qytetarëve të Shkodrës, nuk do sundoj bashkinë e Shkodrës, do ta bashkëjetoj me qytetar, shërbimet e Bashkisë nuk do i marrin më në Bashki, po do vijë Bashkia te qytetarët, asnjëri nuk do të sorollatet. Do bëjmë projekti për të ardhmen e Shkodrës, kjo është rruga jonë për të ardhmen, qyteti jonë është qytet turistik, i bekuar prej Zotit të gjithë ta shfrytëzojmë për të mirën e qytetarëve, punësimi do të jetë një nga punët tona imediate, biznes i fortë, qytet i fortë, biznesi është motori i ekonomisë, duhet ta mbështesim fort, si rrjedhojë do kemi punësim, do punojmë që shkollat tona të kenë standarte europiane. Shkodra është qytet human, do të ndihmojmë shtresat në nevojë për t’i dhënë dinjitetin e nevojshëm. Do mbështesim fort Vllazninë", tha Bushati. 

Ndonëse kandidatët kanë zbritur më herët në bazë, sot ka nisur zyrtarisht fushata elektorale për garën e 6 marsit. Këto zgjedhje nuk do të jetë aspak normale, kjo sepse si asnjëherë më parë demokratët futen në garë të përçarë, pasi lufta e Sali Berishës me Lulzim Bashën është reflektuar edhe në betejën elektorale, e cila më shumë si një garë mes kandidatëve, është konsideruar si një tregues forcash për secilin prej tyre. Këto zgjedhje janë konsideruar si shumë të rëndësishme për të kuptuar peshën e Bashës dhe Berishës te demokratët, në një kohë kur të dy pretendojnë se kanë shumicën.

Kandidatët e PD
Bashkia Shkodër, Xhemal Bushati
Bashkia Durrës: Luan Hoti
Bashkia Lushnjë: Indrit Sefa
Bashkia Dibër: Luan Haka
Bashkia Rrogozhinë: Ferdinand Saraçi
Bashkia Vorë: Ymer Marku