‘Harku opozitar euro-atlantik’ Basha krijon aleancë të re: Kundër ‘pazarit’ Berisha-Rama! Krah tij edhe Bamir Topi

"Harku Opozitar Euro-Atlantik" e ka quajtur Lulzim Basha tryezën e thirrur prej tij me krerë partish të djathta, aleate me Partinë Demokratike.

Basha e quajti një mision rikthimin sipas tij në shina të demokracisë shqiptare, ndërsa dakordësinë e palëve të tjera politike për rikthimin e normalitetit në Kuvend e quajti pazar njëlloj të dëmshëm si në 2008-n.

“Kjo tryezë mbahet sot si një kambanë për interesat e shqiptarëve që edhe një herë rrezikojnë t’i nënshtrohen interesave të ngushta personale që me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 përmbysën balancën institucionale, përqendruan pushtetin dhe dëmtuan funksionimin e demokracisë”.

Tryezën e demokratëve e moderoi ish Presidenti Bamir Topi, i cili atë marrëveshje të 2008-s tha se erdhi nga Berisha i cili ishte në hall nga Gërdeci ndërsa tani vjen prej hallit të tij ‘non grata’  dhe një mazhorance që sipas Topit është edhe ajo në hall.

“Prilli i vitit 2008 erdhi shumë shpejt, pas një ngjarje tragjike, e kam fjalën për Gërdecin. Një kryeministër në hall, një mazhorancë në hall, edhe për uljen e kredibilitetit. Dhe papritur vijnë komunikime të nëndheshme të një marrëveshje të errët dhe okulte, që paralajmëronte një shpërthim tjetër, atë të themeleve të shtetit. Halli i madh i të dyve ka bërë që të rikthehen sërish të dy për të bërë një 2008 të dytë”.

Tryezës së Bashës i ishte bashkuar edhe Spartak Ngjela i cili u shpreh se e vetmja shpresë për shqiptarët sot është Partia Demokratike.

“Përballë keni partinë e Enver Hoxhës, ku ka parti Rama. Gjendja është e rrudhur. Ja ku e keni Bashën, krijojeni dhe ndihmojeni. Nëse kjo është një mbledhje që kërkon bashkim, kjo po. Për të krijuar një bashkim politik, duhet ta bëjë një parti klasike”

Në tryezë Basha ritheksoi edhe një herë domosdoshmërinë e pranimit të kërkesave të Partisë Demokratike për reformën zgjedhore. Sipas tij listat e hapura, ndryshimi i sistemit dhe vota e emigrantëve do të ndihmonin demokracinë në vend dhe nivelin e përfaqësimit.

Sekretari i Marrëdhënieve me Publikun në Partinë Demokratike, Edvin Kulluri theksoi nevojën që kjo tryezë të shtrijë aktivitetin e saj me një aksion opozitar të djathtë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:03
Tryeza opozitare Euro-Atlantike, Kulluri: E djathta duhet të luftojë për individin dhe shoqërinë

 

Sekretari për Marrdhënien me Publikun në Partinë Demokratike, Edvin Kulluri mbajti fjalën e tij në tryezën e organizuar kryetari Lulzim Basha 'Harku Opozitar Euro-Atlantik'.

Kulluri u shpreh se koha kalon dhe zgjedhjet po afrohen, prandaj opozita dhe e djathta duhet të kryejë një betejë qoftë në parlament qoftë jashtë saj, përtej tryezës së sotme.

'S’kemi përfaqësim në parlament, s’kemi në pushtet vendor, s’kemi në pushtet legjislativ. Mendoj se kjo tryezë duhet të nisi një aksion politik. Duhet prodhuar aksion. Në parlament dhe jashtë parlamentit. Në vitin 2009,  një personazh politik, Ilir Meta qëndroi deri në grevë urie. Dha një mesazh që është çështje beteje. Them se e djathtë nuk mund të jetë një e djathtë që nuk lufton për individin, shoqërinë. Është çështje lirie. Liria e individit, e grupeve të interesit ka ardhur duke degraduar frikshëm pas vitit 2008 kur të dyja partitë kanë kontribuar. Njerëzit duhet të rregullojë sistemin që sistemi t’u përgjigjet. Duhet një aksion i fortë, nuk ka kohë. Duhen zgjidhur brenda majit, qershorit dhe duhet qartësi politike. Këtu ka njerëz që kanë bërë beteja. Avokati e ka paguar me lirinë e tij.', u shpreh Kulluri.

Ora 11:59
'Harku Opozitar Euro-Atlantik', Basha: Kemi gati një program për të ndalur shpopullimin

 

Në fjalën e tij në tryezëm 'Harku i Euro-Atlantizmit', kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se shqiptarët duhen pajisur me një kod zgjedhor që të dërojnë në parlament të zgjedhurit e tyre dhe jo atab që dërgon kryetari. Nga ana tjetër, ai u shpreh se PD ka gati një program për të ndalur shpopullimin që do ta bëjë publike në vijim.

'Jemi një vit para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Shkojmë atje një ditë përpara përfundimit të mandatit të komisionit të reformës zgjedhore, me një kod të cunguar. Këto janë emergjenca që lidhen me procesin. Për të cituar avokatin nuk ka demokraci pa proces. Jam i mikluar nga ftesa për tu zhytur në atë se çfarë presin shqiptarët nga opozita e djathtë. T’i pajisim shqiptarët jo vetëm për kodin zgjedhor por edhe për hallet e tyre të përditshme.

Interesi i shqiptarëve tek reforma është dukshëm  më i kufizuar se si do zgjidhin problemet nga keqqeverisja, korrupsioni. Natyrisht nuk duhet të heqim dorë që është barra dhe zgjidhja e demokracisë se është përgjegjësia e qytetarit të votojë. Për shkak të 2008, qytetarët e kanë të pamundur të finalizojnë vullnetin e tyre. Legjitimiteti i pushtetit është thellësisht i cënuar. Propozimet tona institucionale dhe të drejtpërdrejta.

Si PD në kontekstin aktual të zhvillimeve kemi kërkuar një sistem proporcional kombëtar, me votim elektronik dhe bën të mundur votimin e emigrantëve. Listat e hapura janë një farë mase kompensimi, sepse mundëson që shqiptarët të dërgojnë në parlament burrat apo gratë që ata mendojnë, duke eleminuar sekserin. Lista e hapur nuk është interes partiak apo i PD, është shërbim ndaj shqiptarëve. Që listat të jenë të hapura dhe të mos përfundojmë me një masakër na duhet votimi elektronik dhe numërimi elektronik.

Drejtësia është në një sulm të sinkronizuar. Për herë të parë në 34 vjet po rreket ti jap fund kulturës së pandëshkueshmërisë. Të gjitha këto bashkohen në një hark që është aspirata e çdo shqiptari në 34 vite. Qëllimi ynë është ti japim fund kësaj drame të madhe që është cënimi më i madh i sigurisë kombëtare që është shpopullimi i Shqipërisë. Kemi gati një program që Partia Demokratike do ta bëjë publike.'

Ora 11:54
Tryeza e Bashës, Spartak Ngjela: Na duhet PD e fortë që të krijojë bashkimin! Përballë keni partinë e Enver Hoxhës! Berisha, monark si Enveri e Zogu

 

Avokati Spartak Ngjela është pjesë e tryezës së organizuar nga Lulzim Basha dhe Partia Demokratike 'Harku Opozitar  Euro-Atlantik'. Ngjela tha se PD është e vetmja alternativë që ka e djathtë, megjithatë edhe ajo është e cunguar dhe duhet të mbledhë rreth vetes njerëz me vlera. Duke u ndalur tek Sali Berisha ai e cilëson si nga 3 monarkët e vendit, i cili ka ardhur pas Zogut dhe Enves Hoxhë, i cili momentalisht s’ka parti, është i arrestuar, por nuk e kupton dhe del në penxhere pas asnjë ide.

Pjese nga fjala e Spartak Ngjeles

'Janë tre apo katër aspekte që duhen ndryshuar. Nëse individëve të caktuar bashkimi iu krijon frikën se nuk do triumfojnë personalisht nuk vlejnë. Politika është luftë idesh. Këtu kanë frikë nga idetë e reja jo tani por që nga 45’. Këto janë ato monarkitë që kanë kaluar, nga Zogu tek Enveri, nga Enveri tek Saliu. Çdo të thotë monark? Nuk është kurora, është politika që ka monarku. Heq kë të dojë, vë kë të dojë. Këto të fundit janë edhe populiste. Ua futi Enveri edhe  e mori edhe ky tjetri që vjen vërdallë se nuk ka parti. Nuk kupton se është i arrestuar. Asnjë ide. E vetmja shpresë që ka e djathta është Partia Demokratike, nuk është në formën që duhet të ishte. PD që ishte e çau Saliu. Edhe po të mos ishte e çarë nuk ishte e fortë. Tani na duhet një parti e fortë që të krijojë bashkimin. Bashkimi është politik. Jo absolutizëm jemi akoma në absolutizëm. Nuk zhvillohet kombi. Kriza politike është krizë individësh sepse janë pa ide.

Opinioni është i mjegulluar. Nuk ka program. Duhet të paktën që PD që ka një karakter klasik që vlen shumë në politik duhet të jap mundësinë e kësaj devize. Duhet të ketë një skemë konkrete që të thërras individë me vlerë. Përballë keni partinë e Enver Hoxhës, jo të Ramës. Nuk e rrëzuan dot sepse doli Saliu për të qenë Enveri. Saliu krijoi absolutizëm dhe donte pushtet absolut. Dashuria e liderve shqiptarë për kultin e invdivid. Saliu donte të bërtisnin Sali, Sali ti je bota, broçkulla. Nëse kjo është një mbledhje që krijon bashkim bravo na qoftë, nëse krijon ndarje asgjë. Për të krijuar një bashkim politik, eksperienca e perëndimit na ka thënë që një parti klasike e bën. Pse nuk bie Partia e Punës? Nuk bien partitë klasike. Kjo që është këtu është parti e Enver Hoxhës. Kush do krijojë votat përqindjet e mëdha në opinionin publik.

Na duhet një parti klasike. Ja ku e keni Lulzim Bashën. Është i aftë ta bëjë apo jo? Varet nëse do ftoj të tjerët. Nuk ka kohë më deri në zgjedhje, sepse kuptohet Rama e zvarrit çështjen që të shkoj me këtë formacion politik deri në zgjedhje. E ka në dorë e djathta. Të dalim në një konkluzion, që ti përgjgjemi pyetje anglo-saksone: Bari i mirë na thuaj ku? Çështja që do trajtohet më tej se si do jetë bashkimi i liderve, ku? Por marrëveshja duhet jetë juridike. Marrëveshja të jetë koncept juridik i bashkimit. Të ketë karakter statutor dhe liberal. Të gjitha këto nuk bëhen dot në një mbledhje.

Të bëjmë edhe një mbledhje tjetër dhe të krijohen grupe për të sjellë ide në funksion të fushatës elektorale. Edhe pasi të krijojmë një PR, kundërshtarët i tremb sa është përqindja e simpatizantëve. Pa bërë bashkimin nuk e kuptojmë dot. Bashkimi në momente të caktuar është politika më e lartë, në funksion të votave. Ajo që më shqetëson është cili do jetë sistemi zgjedhor. Duhet sistem joproporcional, sistem anglosakson. Të kthehemi tek ligji, një për një. Ballë për ballë. Vetëm ai krijon figurat. Ligji proporcional nuk krijon figurat. Individi i neutralizuar nga forcat e partisë. Individi duhet të jetë gjenerim idesh.'

Ora 11:45
Tryeza e Bashës, ish-presidenti Topi: Marrëveshja e vitit 2008 erdhi menjëherë pas tragjedisë së Gërdecit

1710934430_bamirtopi.JPG

Ish-presidenti Bamir Topi mori pjesë në tryezën e organizuar nga Partia Demokratike dhe Lulzim Basha 'Harku Opozitar Euro-Atlantik'.

Në fjalën e tij Topi rikujtoi marrëveshjen e vitit 2008 PD-PS, e cila thotë ai erdhi menjëherë pas tragjedisë së Gërdecit, mes një kryeministri në atë kohë në hall dhe një lideri opozitar që aspironte pushtetin.

'E pranova edhe si një detyrim që jo domosdoshmërisht vjen nga pjesëmarrja në një parti politike. Qysh fillim dua të sqaroj statusin tim. Nuk jam pjesë e partive politike por lidhur me këtë çështje, kam pasur rastin të njoh aktorët protagonistët të rrënimit të themeleve të shtetit, nga pozicioni i presidentit të Republikës. Një tryezë e tillë është detyrim qytetar pasi zgjedhjet vërtet realizohen si konkurrencë mes partive, çdo zë institucional zë i lirë individual është i rëndësishëm në këtë situatë që po kalon Shqipëria. Dëshiroj që kjo tryezë të jetë tryezë e komunikimit e dialogut. Nuk mund të lë pa përmendur kontekstin historik atë që ndodhi në prillin e vitit 2008.

Kam folur shumë, por duke parë rezultatet e asaj marrëveshjeje që vini ne thelloheshin bënin që zëri im të forcohej. Prilli i vitit 2008 erdhi shumë shpejt pas një ngjarjeje tragjike, e kam fjalën për shpërthimin e Gërdecit. E kujtoj fare mirë një kryeministër në hall, një mazhorancë në hall. Përgjegjësinë dhe uljen e kredibilitetit qoftë në opinionin publik dhe atë ndërkombëtar.

Dhe papritur vijnë komunikime të nëndheshëm të një marrëveshjeje të errët okulte që paralajmëroi një shpërthim tjetër. I themeleve të shtetit të parashikuar në kushtetutën e 98. Pas komunikimeve të nevojshme pashë që ishte një mur i ndërtuar i lartë, nga një njeri në hall dhe nga tjetri që aspironte të ndërtonte pushtetin e tij.

Paralajmërimin e parë e kamë bërë në 15 prillin e vitit 2008 se çfarë do ndodhte. Shumë njerëz e kufizojnë tek roli i kryeministrit unë i ftoj të kthehen. Është marrëveshje shumë komplekse. Fillon me institucionin e zgjedhjeve, vijon me rolin e parlamentit, dëmtimin e fortë të balancave institucionale me dobësimin e rolit të presidentit. Pas 16 vitesh nuk flasim me parashikimin e vitit 2008 por me fakte konkrete. Kemi parti politike, që nuk konsiderohen më parti politike, po kazerma politike. Listat vijnë me firma kryetari. Kemi një parlament që ka ulur ndjeshëm cilësinë e tij, kemi një parlament që ka rënë në thundrën e kryeministrit.'

G.K/M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Rritet lehtë edhe inflacioni bazë, në nëntor arriti në 2.34%

Rritet lehtë edhe inflacioni bazë, në nëntor arriti në 2.34%