Basha: Paketa fiskale e qeverisë
akti final i varfërimit të qytetarëve

Basha: Paketa fiskale e qeverisë<br />akti final i varfërimit të qytetarëve
TIRANË - Lideri opozitës Lulzim Basha e ka cilësuar paketën fiskale të qeverisë për 2015 si aktin e fundit që do të vulosë rënien e ekonomisë dhe varfërimin e qytetarëve shqiptarë. Përballë studentëve të Fakultetit të Ekonomisë, kreu i demokratëve është shprehur se “në thelb qeveria po i ofron familjeve shqiptare një barrë shtesë prej 670 mijë lekësh në vit, si dhe një numër të shtuar policësh, inspektorësh të INUK dhe një tufe mësuesish fizkulture”. Basha ka theksuar se nëse qeveria nuk reagon, atëherë do të jetë opozita dhe qytetarët që do reagojnë me protesta.

“Ju ftoj të gjithëve në protestë, të mbrojmë të drejtat tona, ligjin dhe demokracinë. Studentët u kanë dhënë gjithnjë qeverive autoritare leksione demokracie, kanë qënë gjithnjë një forcë e madhe lëvizëse në zhvillimin e kombeve. Sot është koha të tregojmë veten, t’i dalim zot punëve të vendit, të sjellim shpresë në zemrat e qytetareve të këtij vendi“, tha Basha.

Basha tha se taksat e rritura po mbytin iniciativën e lirë në vend dhe po rëndon xhepat e qytetarëve. Lulzim Basha: Paketa fiskale, 670 mijë lekë në vit për cdo familje

“Qeveria nuk i lë njerëzit të punojnë por u sul policinë, ju shkatërron pronat dhe u ngre taksat. Vjet hyri taksa progresive dhe goditi të gjithë elitën profesionale të vendit. Sivjet po përgatitet rritja e taksave mbi të ardhurat nga 10 në 15%. Po mbytet iniciativa e lire, po dekurajohen investitorët potenciale, vendas dhe të huaj. Qeveria rrit sërish barrën fiskale mbi taksapaguesit shqiptarë pa përjashtim, ndërkohë që vendet e punës nuk janë shtuar por pakësuar, të ardhurat nuk janë rritur por ulur, ekonomia nuk është rritur qoftë edhe sadopak, nuk ka qëndruar as në vendnumëro, por ka rënë në kufinjtë e reçesionit. Si e tillë kjo është paketë që synon t’u marrë taksapaguesve, të vegjël, të mesëm apo të mëdhenj,  kacidhen e fundit, mundësinë e fundit. Eshtë një paketë klienteliste e diktuar nga interesat e grupeve të lidhura me qeverinë që për të marrë monopolet në tregjet e disa mallrave të konsumit të gjerë, nuk janë menduar dy herë të godasin egër dhe vdekshëm prodhimin vendës. Eshtë një paketë e shpenzimeve të tipit “për rrush e kumbulla”, siç thotë populli, ku qeveria ka rritur shpenzimet e veta, për policë e inspektorë të INUK. Eshtë një paketë që do të thellojë reçesionin deri në paralizë të plotë te ekonomisë”, tha Basha.

Duke dalë në mbrojtje të studentëve, Basha ka siguruar se këta të fundit do të kenë mbështetjen e plotë të opozitës, për mosrritjen e tarifave të studimit.

Në fjalën e saj deputetja demokrate, Jorida Tabaku vlerësoi se sipas INSTAT papunësia është 18.3%. Gjithashtu ajo shtoi se borxhi ka shkuar në nivelin e 71% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Sipas saj qeveria po ezauron burimet e brendshme. Ndërkohë Tabaku nuk ka lënë pa përmendur edhe shtresat në nevojë duke theksuar se barra fiskale për individët rritet me 150 milionë dollarë.

Ditët në vijim opozita do të ketë takime me grupet e interesit për paketën dhe projektbuxhetin e viti 2015.

Basha: Dy kërkesa qeverisë, jo rritje të çmimit të energjisë, dhe jo rritje të taksave në 2015
Pas kërkesës së shprehur qeverisë për të mos rritur çmimin e energjisë elektrike, Partia Demokratike vjen sot me një tjetër kërkesë: për të mos rritur asnjë taksë për vitin 2015. Sipas kreut të PD, Lulzim Basha rritja e taksave, ashtu si edhe e çmimit të energjisë dëmton xhepat e qytetarëve, si dhe biznesin e iniciativën e lirë.
 
“Ekspertët tanë kanë bërë publike se vetëm nga rritja e karburanteve dhe çmimit të energjisë, fuqia blerëse në vend do të jetë 4 % më e ulët, duke çuar vendin në stanjacion. Po bëjmë çmos t’u themi kundërshtarëve tanë në qeveri “Mos e bëni”. Jo për politikë, as për kunj, pasi përsëritin të njëjtat gabime duke pritur rezultat të ndryshëm. Megjithëse rritin taksat, nuk u ofrojnë asgjë shqiptarëve. Kemi shpallur paketën tonë të plotë dhe të pakushte, kundër rritjes së çmimit të energjisë. Kësaj i shtojmë edhe kërkesën tonë të dytë, asnjë rritje taksash për vitin e ardhshëm”, tha Basha.

Basha: Për 2015 kërkojmë dyfishim të buxhetit për arsimin
Kreu i Partisë Demokratike tha se duke filluar nga janari 2015 qeveria Rama-Meta duhet të dyfishojë buxhetin për arsimin e lartë në vend. Duke dalë në mbrojtje të studentëve, Basha ka siguruar se këta të fundit do të kenë mbështetjen e plotë të opozitës, për mosrritjen e tarifave të studimit.
 
“Kërkojmë nga janari 2015 dyfishimin e buxhetit për arsimin e lartë në Shqipëri. Arsimin e lartë e quajnë luks dhe jo të mirë publike. Shteti duhet të jetë partner në krah të secilit. Studentët kanë një përgjegjësi të dorës së parë për çdo problem madhor të vendit, studentët vendosin, studentët prijnë, studentët ia dalin, studentët janë shpëtimi aty ku në lojë është humbja e të gjithëve”, tha Basha.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Vdiq në robërinë ruse gazetarja ukrainase, Victoria Roshchyna

Vdiq në robërinë ruse gazetarja ukrainase, Victoria Roshchyna