TIRANE - Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti në takime të veçanta përfaqësuesen e Bankës Botërore në Shqipëri, Tahseen Sayed, dhe përfaqësuesin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Nadeem Ilahi, ku u shprehu shqetësimin e opozitës për kursin e gabuar ku sipas tij qeveria ka futur ekonominë shqiptare.

Në fjalën e tij Basha tha se ka rënie të mbledhjes së të ardhurave, jo vetëm krahasuar me periudhën e mëparshme, por edhe duke marrë parasysh vetë parashikimet e qeverisë.

Duke vazhduar më tej Basha tha se është krijuar një klimë pasigurie që sipas tij ka dëmtuar rëndë ekonominë dhe biznesin dhe si rezultat ka mbyllur vende pune dhe zvogëluar shanset për punësim.

“Qeveria ka krijuar pasiguri juridike, çka ka dëmtuar biznesin dhe ka stepur investitorët. Treguesit e ekonomisë janë në përkeqësim, rënie, ose dobësim. Ulja e ndjeshme e mbledhjes së të ardhurave, është tregues i evazionit, korrupsionit dhe rritjes së informalitetit në ekonomi.” u shpreh Basha. 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)