TIRANE, 11 Shkurt/ATSH/- Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha priti sot në një takim kryetarin e Parlamentit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, të shoqëruar nga tre nënkryetarët e Parlamentit të Republikës së Kosovës; Xhavit Haliti (PDK), Sabri Hamiti (LDK) dhe Glauk Konjufca (VV).
Kryebashkiaku Basha ka vlerësuar maturinë e treguar nga klasa politike e Kosovës në konstituimin e institucioneve të reja dhe dhënien fund të një periudhe të gjatë tranzicioni që vijoi mbas zgjedhjeve parlamentare të qershorit.
Sfidat e institucioneve të reja janë të mëdha, - theksoi Basha, ndërsa shprehu besimin se klasa politike, parlamenti dhe qeveria e Kosovës do të arrijnë të ndërmarrin reformat e duhura dhe të rëndësishme për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe për përshpejtimin e procesit të integrimit europian dhe liberalizimit të vizave.
Basha dhe në funksionin e tij si lider i opozitës e ka garantuar z. Veseli se PD do të mbështesë fuqimisht intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve si dhe përshpejtimin e integrimit europian dhe euroatlantik të Kosovës.
Ai shprehu mirënjohjen për kontributin që qeveria e Kosovës, forcat e sigurisë dhe bizneset e Kosovës dhanë për banorët të cilët ndodhen në vështirësi të mëdha në zonat e përmbytura.
Ne takim u diskutua me shqetësim dhe emigrimi masiv i qytetarëve të Kosovës. Kjo situatë është një detyrim edhe më i madh për dy vendet, - tha zoti Basha, - për të gjetur rrugët dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit, në funksion të zhvillimit ekonomik dhe hapjes së vendeve të reja të punës.
Pamundësia ekonomike i detyron njerëzit të ndërmarrin vendime të guximshme për të emigruar së bashku me familjen por kjo nuk mund të jetë zgjidhja për qytetarët tanë, as në Kosovë e as në Shqipëri. Është detyrë e jona, politikanëve në të dy vendet të ndërmarrim reformat dhe vendimet e duhura, për të siguruar jetën e qytetarëve në vendin e tyre.
Basha ka vlerësuar progresin e rëndësishëm të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, pjesë e rëndësishme e së cilës ishte dhe marrëveshja e arritur për drejtësinë. Vijimi i mëtejshëm i dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve në terren ka një rëndësi të madhe, si përsa i përket mirëqenies së qytetarëve të Kosovës, por edhe për paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonin./a./










