Basha prezanton në Fier propozimet e PD për Reformën Zgjedhore: Listat e mbyllura, ‘menu’ që detyrojnë votuesit

Kryedemokrati Lulzim Basha ka prezantuar sot propozimet për Reformën Zgjedhore në qytetin e Fierit para mbështetësve në këtë qytet.

Sipas tij Basha listat e mbyllura janë një prej problematikave konkrete që duhet zgjidhur, duke i cilësuar ato si “menu” që u serviren votuesve shqiptarë dhe që i detyrojnë këta të fundit.

Propozimet kryesore të PD për Reformën Zgjedhore

1 – LISTA TË HAPURA

Votuesit të kenë mundësi të zgjedhin vetë deputetin, jo kryetari.

2- BARAZIA E VOTËS

Numri i votuesve për mandat deputeti të jetë i njëjtë në të gjithë vendin

3- VOTA E DIASPORËS

Shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, të kenë mundësi të votojnë në zgjedhje nga aty ku jetojnë.

4 – PRESIDENT NGA POPULLI

Presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli

“Dita e sotme ka qenë një ditë jashtëzaknisht produktive, në optikën time, kemi nisur me një takim motivues, frymëzues do të thoja me rininë e qytetit të Fierit. Me rininë e cila lëkundet mes dilemave dhe shpresave, mes halleve dhe problemeve të shtuara nga një keqqeverisje që ka harruar se çështe llogaridhënia dhe mes shpresës dhe dëshirës që burojnë si nga koha e artë e jetës, rinia ashtu edhe nga detyrimet që ata ndjejnë karshi vëllezërve dhe motrave të tyre më të rinj, karshi prindërve të tyre, gjyshërve, të moshuarve dhe karshi vendit të tyre. Në të gjitha diskutimet me rininë varet si një hije e rëndë tema e emigracionit, largimi i rinisë. Largimi që është fakt dhe që gjymton ditë pas dite familjet shqiptare , komunitete të tëra, qytetet dhe fshatrat tona dhe largimi shpeshherë si opsion, nganjëherë si opsion i vetëm i cili varet si një kërcënim i përditshëm, i përjavshëm mbi ta dhe mbi prindërit e tyre.

Ky takim u pasua edhe nga takime të tjera, me sipërmarrjen e Fierit, me qytetarë të Fierit, këtu në qendër të qytetit në pedonale. Me njerëz me kontribute të jashtëzakonshme publike në shërbim të njerëzve, në shërbim të qytetarëve, modele mirëqeverisjeje, etalon të ndershmërisë dhe të integritetit dhe me fermerë të kësaj zone, nga Frakulli në Cakran

Ajo që i bashkon këto takime, përshtypjet e mia dhe jam i bindur të bashkëpunëtorëve të mi nga këto takime, është nga njëra anë bindja e njerëzve, jo vetëm e demokratëve, jo vetëm e votuesve tanë, por edhe qytetarëve të tjerë, edhe atyre që ndoshta edhe para dy vitesh votuan këta që sot janë në pushtet, se ka ardhur koha për ndryshim. Këtu natyrisht nuk dua të zgjatem, sepse ky do të kërkonte një takim tjetër, një tjetër hapësirë nga kjo që kemi vendosur në dispozicion tuajin dhe përmes medias për qytetarët e Shqipërisë. Prandaj një pjesë të mirë të diskutimit sot e ka marrë dhe procesi i ndryshimit, garancia që vullneti, dëshira e njerëzve të arrijë të shprehet e të numërohet dhe të sjellë ndryshimin që ata kërkojnë. Sepse prej kohësh në Shqipëri është krijuar një hendek midis asaj që njerëzit duan, dëshirojnë, shpresojnë, votojnë dhe asaj që del në fund të proceseve të votimit. Padiskutim, askush nuk është më përgjegjës se politika, por pjesë e kësaj përgjegjësie është edhe procesi zgjedhor. Është mënyra se si shqiptarëve u garantohet liria e votës, transparenca e procesit, numërimi korrekt i votës, përkthimi i vullneteve të tyre në qeverisje qëndrore dhe lokale të cilat janë me të vërtetë burim i besimit të tyre.

Prej kohësh nuk është kështu, të jemi tamam të saktë. Prej 15 vitesh nuk është kështu, sepse në vitin 2008, dy partitë kryesore në vend ndryshuan kushtetutën dhe një nga nënproduktet e këtij ndryshimi kushtetues ishte që qytetarët nuk zgjedhin më drejtpërsëdrejti atë zonjë apo zotëri, të re apo të ri që dëshiron t’i përfaqësojë në Kuvendin e Shqipërisë, por zgjedhin nga meny të mbyllura apo të kufizuara listash të paraqitura nga partitë e të firmosura nga kryetarët e partive. Dua ta nis pikërisht pra me problemin e listave të mbyllura. Me menynë e kufizuar që detyrohet të hajë votuesi shqiptar në çdo palë zgjedhjesh. Ky produkt i cili gjoja u korrigjua, ede sot e kësaj dite vijon të ndjek hap pas hapi defektet e demokracisë shqiptare”, u shpreh ai.

G.MO/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kreu i OBSH-së i shpëton sulmeve të Izraelit në Jemen, ndodhej në aeroportin e Sanas gjatë bombardimit! 2 të vdekur dhe disa të plagosur

Kreu i OBSH-së i shpëton sulmeve të Izraelit në Jemen, ndodhej në aeroportin e Sanas gjatë bombardimit! 2 të vdekur dhe disa të plagosur