“Takimi për planin urbanistik të Tiranës është përmbyllja për një premtim të përfunduar. Premtuam se do e mbaronim në një kohë rekord prej 10 muajsh. Shumë kanë qenë skeptik dhe mosbesues me pretendimin se Tirana e kishte një plan. Shumica na mbështetën, ja ku jemi 10 muaj më pas me një premtim të mbajtur”, tha Basha.
Sipas tij, “ajo që ka më rëndësi, është fakti se plani ka rëndësi për zhvillimin ekonomik. Prej kohësh Tirana ka dhënë shenja lodhjeje si rezultat i një politike konfrontimi me bizneset. Ne jemi të vendosur ta kalojmë këtë ngërç. Zhvillimi ekonomik, mirëqenia dhe krijimi i vendeve të punës është prioriteti ynë numër një”, deklaroi kryebashkiaku.
Basha theksoi se plani urbanistik ka si synim adresimin e qytetarëve me qëllim evitimin e kaosit. “Plani synon që të adresojë qytetarët përkundrejt kaosit që lamë pas. Të zgjidhë problemin e interesit privat dhe publik. Qytetarët ankohen për çdo metër që zihet nga betoni, për shkollat dhe shumë probleme. Kjo ka ndodhur se nuk ka pasur plan që të vejë në vijë të drejtë, nevojën për ndërtim dhe hapësirë të gjelbërt”, tha kryebashkiaku i Tiranës.
(im/shqiptarja.com)