"Falenderoj ndërkombëtarët të cilët erdhën sot në Shqipëri dhe nuk kursyen asnjë përpjekje për të bërë një zgjidhje reale për krizën politike në vend. Për fat të keq përpjekja e dy ndërmjetësuesve europianë nuk pati sukses kjo sepse Edi Rama refuzon qeverinë teknike për zgjedhje të lira si zgjedhjen e vetme dhe si zgjidhjen e ndershme për të krijuar kushte dhe premisa të barabarta për zgjedhje të lira dhe të ndershme duke zbatuar dekriminalizimin, duke luftuar drogën dhe duke garantuar reformën zgjedhore sipas rekomandime të OSBE ODHIR, përfshirë votimin edhe numërimin elektronik", tha ai.
Kreu i opozitës paralajmëron përshkallëzim të protestave në mbarë vendin javën që vjen duke u shprehur se nuk do të ketë pushtet pa opozitën.
"Javën e ardhshme do të nisim përshkallëzimin e mosbindjes civile anembanë Shqipërisë. Koha kur në Shqipëri bëhen votime e jo zgjedhje ka marrë fund. Nuk do të ketë kurrë më pushtet pa opozitë", tha Basha.
Fjala e plotë e Bashës
Falenderoj ndërkombëtarët të cilët erdhën sot në Shqipëri dhe nuk kursyen asnjë përpjekje për të bërë një zgjidhje reale për krizën politike në vend. Për fat të keq përpjekja e dy ndërmjetësuesve europianë nuk pati sukses kjo sepse Edi Rama refuzon qeverinë teknike për zgjedhje të lira si zgjedhjen e vetme dhe si zgjidhjen e ndershme për të krijuar kushte dhe premisa të barabarta për zgjedhje të lira dhe të ndershme duke zbatuar dekriminalizimin, duke luftuar drogën dhe duke garantuar reformën zgjedhore sipas rekomandime të OSBE ODHIR, përfshirë votimin edhe numërimin elektronik.
Ky refuzim ka përballë frikën e Ramës për të lëshuar karrigen kryeministrore. Duhet të dini se PD ka rënë dakord me një numër të madh propozimesh teknike por PD, opozita e qytetarët të majtë apo të djathtë nuk mund të pranojnë që këto detyra që Rama nuk i kreu kur ishte në qeverisje duke e kthyer Shqipërinë në hambar droge, nuk mund t’i bëjë në 4 javë që i kanë mbetur.
Kushti i patjetërsueshëm për zgjedhje e të lira e të ndershme mbetet qeveria teknike.
Dua të denoncoj dhe dënoj aktin e turpshëm të kondicionimit të drogës me Vettingun. Duam qeveri teknike, të zbatohet dekriminalizimi të nisë zbatimi i Vettingut sipas përcaktimeve kushtetuese dhe marrëveshjes politike të 21 korrikut. Edi Rama nuk do as zgjedhje të lira as Vetting sepse i trembet demokracisë së vërtetë.
Jemi të vendosur të vazhdojmë pa kthim betejën popullore për zgjedhje të lira e të ndershme përmes një qeverie teknike për një Vetting të vërtetë.
Javën e ardhshme do të nisim përshkallëzimin e mosbindjes civile anembanë Shqipërisë. Koha kur në Shqipëri bëhen votime e jo zgjedhje ka marrë fund. Nuk do të ketë kurrë më pushtet pa opozitë.
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com