Gjatë një takimi me elektoratin në Fier, ku prezantoi kandidatët e PD për deputetë pasditen e kësaj të diele, Basha ka ftuar Ramën që të ndeshen “ballë për ballë” në debat të drejtpërdrejtë.
Basha tha se "qëllimi i ftesës së tij është që në këtë debat, të bëhet bilanci i punëve që kanë bërë secila nga palët, të prezantojë programin e tyre elektoral, ku më pas të jetë populli ai që do të vendosë me votë se kë do të zgjedhë me 25 qershor".
Edhe pse i bindur se Rama nuk do të pranojë një ftesë të tillë, pasi sipas tij ai nuk ka bërë asnjë punë, dhe s’ka se çfarë bilanci është bërë, Basha i ka qëndruar ftesës së tij.
Duke marrë parasysh se kreu i qeverisë nuk e ka dëgjuar live këtë ftesë, ai thotë se është i gatshëm për të bërë edhe me shkrim nëse është e nevojshme.
"Sonte e ftoj këtu nga Fieri për një debat televiziv me kandidatin për kryeministër të Republikës së Re.
Edi Rama mund të shëtisë në Shqipëri duke treguar barcaleta, por nuk i çon dot 4 javë me barcaleta, eja në debat, bëj bilancin tënd, unë bilancin tim.
Ti programin tënd unë programin tim dhe qytetarët të vendosin me votën e tyre.
Ftesen e bera publike, po s’e pate degjuar po ta nis edhe me shkrim por tani do ta them unë se pse nuk vjen këtu të shpjegojë, të japë llogari, ndonjë punë edhe e ka bërë, une vetë i kam parë palmat me sytë e mi, mijëra palma, palma dhe fasada shumengjyrëshe", tha Basha.
PD e përçarë? Basha: Jemi më të bashkuar se kurrë
Ai u ka kthyer edhe një përgjigje të gjithë atyre që kanë akuzuar se me lënien jashtë listave figurat e vjetra të PD, PD është përçarë.
Sipas tij, kjo gjë nuk ka ndodhur në partinë që ai drejton, madje sipas tij ata janë më të bashkuar se kurrë. Basha ka premtuar se do t’i ndryshojë “fytyrën” politikës, e cila ka ngjallur pa mosbesim për qytetarët.
“Ne jemi të bashkuar, ata janë të përçarë. Ne jemi të bashkuar jo vetëm brenda radhëve tona. Sot hedhim themelet e një politike për qytetarët. Politikanët e papërgjegjshëm me Ramën në krye shkatërruan besimin te politika si instrument ndryshimi. Unë e di se me gjithë përpjekjen time dhe punën time të madhe, e di se ka një mosbesim të madh te politika dhe politikanët se të tjera gjëra thonë dhe të tjera gjëra bëjnë kur futen në zyrat e pushtetit, se në fushatë flasin për popullin kurse në zyrat e shtetit e kanë mendjen te tenderat dhe pasurimi i xhepave të tyre. Kjo është totalisht e vërtetë, por kjo është ajo që ne do ndryshojmë dhe do përmbysim me votën tonë në 25 qershor”, tha Basha.
Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)