I ftuar në emisionin “Fakt” të gazetarit Çim Peka, i cili u transmetua mbrëmë në Syri.net, Basha u shpreh se nuk preferon të merret me ‘mesazhe’ dhe me ‘retrospektiva episodike’. Pasi sipas tij, koalicionet e mëdha, bashkëqeverisjet i cakton populli me votë. “Mua nuk më intereson të merrem as me mesazhe dhe as me retrospektiva episodike, mua më intereson thelbi, diagnoza. Diagnoza është një qeveri e cila tashmë pas dy vjetësh, sepse për dy vjet mendoj se edhe një pjesë e publikut ka dashur ti japë kohë kësaj qeverisjeje që të shikojnë se çfarë po bëjnë.
Pas dy vitesh ajo që më intereson është rruga e daljes nga kjo krizë e gjithanshme ku gjendet Shqipëria. Ne jemi në opozitë të plotë dhe të gjithanshme me këtë qeveri, ne jemi dhe alternative. Konkretisht Partia Demokratike ka nisur punën për hartimin e një programi dhe një frymëzimi të ri zhvillimor për Shqipërinë, me një ofertë konkrete e cila duhet të gjykohet nga qytetarët shqiptarë”, u shpreh Basha.
Një nga arsyet e forta, tha Basha, se pse Partia Demokratike nuk pranon asnjë formë bashkëpunimi qeverisës me PD-LSI, është se shkatërruan standardet demokratike, rrënuan ekonomikisht vendin dhe kapën zgjedhjet. “Askush tjetër përveç Edi Ramës dhe Ilir Metës, bashkë apo veç e veç për hesap të vet, nuk kanë leverdi apo përfitim nga hapja e ndonjë spiraleje apo që do ta quaja thjeshtë mediatike për gjoja bashkëpunim me Partinë Demokratike.
Partia Demokratike siç e kam bërë të qartë nga fillimi nuk bashkëpunon dhe nuk bashkëqeveris me ata që i vunë lakun në fyt këtij populli, me taksat e larta me kriminalizimin dhe kapjen e zgjedhjeve”, tha ai.
Humbja
Kreu i PD, Lulzim Basha mohoi të ketë deklaruar fitoren e zgjedhjeve vendore të 21 qershorit. “Askush nuk ka thënë, as unë as dikush tjetër nuk ka thënë që Partia Demokratike ka fituar zgjedhjet, kjo më duket është një stilemë e stisur për të hequr vëmendjen nga fakti që zgjedhjet e 21 qershorit morën një goditje vdekjeprurëse për demokracinë nëse nuk ndërmerren hapat që komuniteti ndërkombëtarë sugjeron, që OSBE-ODHIR-i në raportin e tij sugjeron.
Me këtë rast dua të përfitoj për të konfirmuar publikisht që Partia Demokratike është e angazhuar të zbatojë me përpikmëri rekomandimet e OSBE-ODHIR-it në raportin përfundimtar”, tha ai. Menjëherë pas zgjedhjeve të 21 qershorit, kreu i PD u shpreh për një fitore të të gjithë demokratëve. Qëndrim të cilin e ndryshoi 3 ditë më pas në samitin e PPE, kur tha se rezultati i ulët i PD erdhi si rrjedhojë e blerjes së votave nga mazhoranca.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 2 Shtator 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)