TIRANE - Tirana më 23 qershor do të votojë Partinë Demokratike. Kështu është shprehur kryeministri Berisha në një aktivitet për 93-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet. Kreu i mazhorancës ka sulmuar Edi Ramën, si njeriu që sipas tij e mbajti peng Bashkinë e Tiranës për 11 vite. Sipas Berishës, Rama e përdori Bashkinë për interesa personale duke mbajtur peng zhvillimin e saj.

“Sot ka një fakt shumë të hidhur. Njeriu që qeverisi Tiranën për 11 vjet, si shpërblim për qytetarët e këtij qyteti u mbyll derën e integrimit dhe e lë Tiranën, në mënyrën më të paimagjinueshme, jashtë listës së familjes së kryeqyteteve të vendeve anëtare dhe vendeve me status, të familjes evropiane", tha kryeministri.

Megjithëse në fushatën e 2011-ën, kishte premtuar se kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe Bashkia nuk do të përdoreshin për fushatë politike, Lulëzim Basha, i pranishëm në aktivitetin e 93-vjetorit të Tiranës, e shkeli premtimin. Duke marrë shembull nga Kryeministri Berisha, ai ka akuzuar Edi Ramën se ka përdorur Bashkinë për interesa politike dhe ekonomike.

Në konferencë kane folur dhe pasardhës të qeverisë së parë të Tiranës, e udhëhequr nga Sulejman Delvina. Takimi përkujtimor pwr 93-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet, u organizua nga Bashkia.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)