“Në këto punë, për fat të keq, gjithnjë e më shumë Bashkisë së Tiranës po i vihen “shkopinj nën rrota”. I është shpallur një luftë politike dhe po has bllokime në çdo cep, që nga varrezat tek buxheti apo siç e patë dje. Unë e ndoqa nga Brukseli, për fat të keq, ku ndodhesha në detyrën time si kryetar i PD, për të lobuar për statusin kandidat pranë partive simotra, pranë partisë së Angela Merkel dhe partive të tjera, për t’u dhënë shqiptarëve që e meritojnë statusin kandidat, ndërkohë që këtu kishte një shfaqje tërësisht jo europiane, bllokimi i bulevardit të Tiranës. Është bllokimi i fundit, në serinë e bllokimeve që Edi Rama i bën Bashkisë së Tiranës të cilën vetë e ka udhëhequr për 11 vite, si kryetar i Bashkisë.
Bllokimi u vlen vetëm atyre që nuk kanë ofertë për qytetarët e Tiranës, nuk kanë ofertë për qytetarët e Shqipërisë, u vlen atyre që nuk kanë asnjë punë për të treguar dhe që xhelozohen me punët e tjera të mira që po kryhen, u vlen atyre që nuk kanë ofertë për vendin. Qytetarët kërkojnë punë, Edi Rama po shkatërron vende pune, nuk po krijon të reja. Qytetarët duan qetësi, Edi Rama krijon konflikt të përditshëm, në Parlament dhe jashtë Parlamentit. Qytetarët duan siguri, Edi Rama thotë: - “kriminelët të vrasin njeri-tjetrin!”. Qytetarët duan mirëqenie, Edi Rama rrit taksat dhe po bëhet gati të vendosë taksa të tjera mbi qytetarët. Kur ke këtë bilanc zero, normalisht që i vërsulesh punës së të tjerëve, sepse është “halë në syrin tënd”.
Sot, dua t’i kthej këtë përgjigje zotit kryeministër, jo në emrin tim personal, as në emër të PD por në emër të Bashkisë dhe qytetarëve të Tiranës: - Hiq dorë nga bllokimi dhe lufta politike kundër Bashkisë së Tiranës! Po lufton qytetarët e këtij qyteti, po lufton mirëqenien e tyre, po lufton veprat që u shërbejnë atyre. Hiq dorë, sa nuk është vonë, përndryshe qytetarët e Tiranës, qytetarët e gjithë Shqipërisë do të dinë fare mirë t’i japin atë që meriton, njeriut që nuk u shërben qytetarëve, njeriut që merr ata peng, të ardhmen e qytetarëve! Njeriu që përpiqet çdo ditë për interesa të ngushta personale, të marrë peng fatin, mirëqenien e qytetarëve, do ta ketë përgjigjen e qytetarëve”, tha Basha.
Investimi në rrugën e “Kokonozëve” kap vlerën 79.4 milionë lekë, Kjo rrugë është një segment që lidh rrugën “Dalip Topi”, deri në rrugën “Marie Kraja”, në njësinë bashkiake nr.3, Tiranë, me gjatësi 790 metra linearë. Në këtë rrugë janë ndërtuar rrjetet e kanalizimeve të ujrave të zeza dhe të bardha, janë vendosur 39 shtylla të ndriçimit rrugor, janë mbjellë 115 pemë.
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)