Basha në Berat është njohur me problemet e qytetarëve, ndërsa shtoi se këtyre shqetësimeve fundi u vjen vetëm me vote të lirë.
“Në qoftë se shumica prej jush këtu në Berat, të djathtë e të majtë, mendoni se kjo nuk është aspak rruga e duhur, e punësimit, e pakësimit të varfërisë, e së ardhmes dhe perspektivës për të rinjtë, t’i japim një mesazh të fortë me votën tonë, me një votë kundër papunësisë, kundër varfërisë, kundër mos mbajtjes së premtimeve dhe kundër mosbërjes asgjë për të mbajtur premtimet”, tha Basha.
Rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe papunësia ishin kryefjalë e bashkëbisedimit me banorët e Fushë-Mbretit në Elbasan.
“Taksat i rrit, çmimin e energjisë e rriti, akcizën e naftës e rriti. Të paktën të lante borxhin. Jo e rriti edhe borxhin. Ku janë paratë? Të paktën të mbaronte rrugën, as rruga nuk mbaron. Ku janë paratë? Ku janë 100 milionë dollarë që i mungojnë buxhetit të shtetit për periudhën janar-prill. Përgjigja vjen me votë me 21 qershor. Do pranoni me votë me 21 qershor këtë regjim gënjeshtar, mashtrues që nuk hap vende pune, që vjedh nga lekët e taksave apo do ta refuzoni?”, u shpreh lideri i opozitës.
Ndërkohë situata e vështirë ekonomike ishte edhe tema e kryesore e fjalës së liderit Demokrat gjatë takimit më banorët e Peqinit.
“Nuk gënjehet më njeri me thesin e miellit. Në këtë kohë krize njeriu ka nevojë për zgjidhje të vërteta, zgjidhje të mëdha. Ne kemi një platformë të ulim me 25% çmimin e energjisë dhe të falim të gjitha kamatë-vonesat, të ulim taksat në nivelin më të ulët në Ballkan. Të imponojmë taksën e sheshtë dhe të punojmë së bashku për rritjen e rrogave dhe pensioneve. Ndihmë ekonomike dhe financiare për ata që prodhojnë dhe punojnë për ti qëndruar në krah njerëzve të punës dhe punës së ndershme. Cila është oferta nga krahu tjetër? Sharje, fyerje!”, tha kryedemokrati Basha.
Në këto takime Basha u kërkoi qytetarëve që më 21 qershor të votojnë kandidatët e Partisë Demokratike.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqptarja.com)