Basha takim me Mustafën: 'Eksodi'
shkak rritja e pasigurisë e varfërisë

Basha takim me Mustafën: 'Eksodi'<br />shkak rritja e pasigurisë e varfërisë
TIRANE - Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha priti sot në një takim Kryeministrin e  Kosovës, Isa Mustafa i cili shoqërohej nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Hashim Thaçi si dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Kujtim Shala.

Në fjalën e tij Kryetari i PD Basha u ndal me shqetësim tek emigrimi masiv i qytetarëve nga Kosova dhe Shqipëria. Sipas Bashës, nisur edhe nga situata politike në vend, kapja e shtetit dhe promovimi i personave me precedent kriminal deri në nivelet më të larta të qeverisjes ka prodhuar pasiguri të lartë për jetën e qytetarëve në Shqipëri. Kjo situatë sipas kreu të PD ka sjellë rritje të varfërisë dhe pasigurisë, rritje galopante të korrupsionit dhe kanë zhbërë besimin e qytetarëve për të ardhmen çka e dëshmon dhe niveli i shtuar i emigrimit dhe dëshirës për t’u larguar nga vendi.

Në këtë drejtim Basha theksoi se mjaft të rëndësishëm rikthimin e besimit tek qytetarët.

“Kjo situatë është një detyrim edhe më i madh për dy vendet, për të gjetur rrugët dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit, në funksion të zhvillimit ekonomik dhe hapjes së vendeve të reja të punës dhe rritjes e besimit të qytetarëve tek institucionet permes forcimit te shtetit ligjor dhe luftes pa kompromis kunder krimit te organizuar dhe korrupsionit. Partia Demokratike mbetet thellësisht e vendosur për të çrrënjosur sëbashku me qytetarët shqiptarë këtë fenomen ogurzi të kapjes së institucioneve dhe të burimeve ekonomike nga oligarkia e krimit” theksoi Basha.

Më tej Basha ritheksoi vendosmërinë dhe angazhimin e Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare për të mbështetur të gjitha nismat që synojnë zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit të gjithanshëm, ekonomik, institucional, kulturor, tregtar, investimet e ndërsjellta dhe çdo masë tjetër harmonizuese në dobi të rritjes së mirëqenies së qytetarëve të të dy vendeve dhe integrimit sa më të shpejtë në Bashkimin Europian.

Nga ana e tij Kryeministri Mustafa e falënderoi zotin Basha për kontributin e jashtëzakonshëm dhe të vazhdueshëm të Partisë Demokratike në qeverisje dhe në opozitë për Kosovën, njohjen e plotë të pavarësisë së saj dhe përpjekjet për realizimin e projektit madhor të integrimit euroatlantik të Kosovës.

Në takim u vlerësua fakti që Republika e Kosovës është shndërruar në një shembull të respektimit të të drejtave të njeriut dhe në një faktor stabiliteti e bashkëpunimi në rajon.

Basha ka vlerësuar edhe progresin e rëndësishëm të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, pjesë e rëndësishme e së cilës ishte dhe marrëveshja e arritur për drejtësinë. 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duk protesta e opozitës?



×

Lajmi i fundit

Lutfi Dervishi: Rezistencë civile apo partiake?

Lutfi Dervishi: Rezistencë civile apo partiake?