TIRANË - "Të thellojmë e zgjerojmë edhe më tej bashkëpunimin mes Tiranës dhe Prishtinës". Këtë ka shprehur kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha në një takim me kryetarin e sapozgjedhur të komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti sot në Tiranë.

Siç bëhet e ditur nga zyra e shtypit të Bashkisë së Tiranës, nga takimi mësohet se mes dy qyteteve pritet të hartohet së shpejti një plan konkret dhe i detajuar bashkëpunimi në fushën ekonomike, kulturore, sociale etj.
 
Basha dhe Ahmeti kanë vlerësuar si shumë të rëndësishme bashkëpunimin në kuadër të Asamblesë së të gjitha Njësive Vendore shqiptare.

Kryebashkiaku Basha shprehu bindjen se përmes një bashkëveprimi mes të zgjedhurve vendore në këtë Asamble, do të kontribuohet në vendosjen e një bashkëpunimi më të ngushtë mes shqiptarëve kudo ku ata jetojnë.
 
Basha ka vlerësuar si një moment shumë të rëndësishëm për Kosovën organizimin për herë të parë të zgjedhjeve vendore në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
 
"Këto zgjedhje, tha kryebashkiaku Basha ishin një fitore e madhe për demokracinë dhe për aspiratën e popullit të Kosovës, për të ecur të sigurt drejt anëtarësimit me të drejta të plota në institucionet ndërkombëtare si OKB, Nato, BE dhe se shteti i Kosovës me të gjithë tërësinë territoriale të saj po forcon çdo ditë pozitat në arenën ndërkombëtare, si një shtet i konsoliduar e demokratik.  

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)