Basha të shmangë Kuvendin ose Berisha e shkarkon dhe nuk 'puth' më në PD

Basha të shmangë Kuvendin ose Berisha e shkarkon dhe nuk 'puth' më në PD

Sali Berisha Lulzim Basha

Partia Demokratike praktikisht është e ndarë mes Sali Berishës e Lulzim Bashës, teksa ka hyrë në një vjeshtë përplasje të fortë për shkak të përjashtimit të liderit historik nga grupi parlamentar.

Eshtë e kotë të bëjmë krahasime se cila është “copa” më e madhe e PD që mbështet Berishën apo Bashën, por fakti është se tashmë partia më e madhe opozitare ka dy qendra “graviteti”.

Pjesa më e madhe e strukturave dhe forumeve të ngushta të reja janë vërtetë në dukje mbështetës të Lulzim Bashës, shtuar këtu dhe partnerët tanë ndërkombëtarë SHBA dhe BE.

Në pamje të parë duket si një zgjedhje mes dy të keqijave në PD, ku e keqja më e vogël është Lulzim Basha, i cili ka me vete si “aset” pozitiv moshën më të re, lakueshmërinë e një politikani të shkolluar në Perëndim, mungesën e sensit radikal të të bërit politikë, por dhe një barrë më të vogël mëkatesh qeverisjeje.

Duket sikur strukturat, forumet dhe grupi parlamentar është në mbështetje të Bashës në këtë përballje me Berishën, që ka marrë rrugët në takimet me demokratët dhe anoncuar nismën e tij për “rikthimin e vlerave në PD”, përmes “Foltores”, takime këto që deri më tani janë zhvilluar në Tiranë, Fier dhe Vlorë.

Pikërisht në këto takime të Berishës vihet re me sy të lirë e vërteta e “hidhur”, ku një pjesë e konsiderueshme e strukturave, deputetëve dhe krerëve të PD në këto rrethe e kanë “tradhëtuar” Bashën dhe po marrin pjesë në “Foltore”.

Justifikimin e kanë gati, pasi shprehen se e mendojnë PD-në si një të tërë dhe marrin pjesë në takimet e zhvilluara jo vetëm nga ana e liderit historik, por njëherësh dhe të anëtarit të Këshillit Kombëtar të PD Sali Berisha, duke nënvizuar se këtu nuk ka asgjë të keqe.

Gjashtë deputetë janë deklaruar hapur në mbështetje të Berishës, pa përjashtuar këtu dhe krerët e PD në Vlorë e Fier, të cilët ishin prezentë dhe tepër të emocionuar nga takimi me liderin historik. Dhe janë vetëm 3 takime, duke paralajmëruar se janë më shumë deputetë që do i “bashkangjiten” rrugës liderit historik, sa nga dëshira, sa nga frika ndaj tij dhe sa nga pafuqia e Bashës.

Berisha paralel me takimet, ka sygjeruar dhe mbledhjen e firmave dhe s’është habi që të mbledhë jo 1500 firma sa duhen për të thirrur Kuvendin e PD për të shkarkuar Bashën nga drejtimi i kësaj partie, por dhe mbi 2500 firma.

Sa ia del do shihet në fund të turit të tij në bazën e PD, por aleatët e Bashës në këtë përballje janë ose lëkundur në deklaratat e tyre, sikurse po shihet në prononcimet e dyzuara të nënkryetares së PD Grida Duma, të Oerd Bylykbashit dhe të zyrtarëve të tjerë të PD, deri tek numri dy i kësaj partie, sekretari i Përgjithshëm Alfred Rushaj. I cili asnjëherë nuk ka dhënë një qëndrim të qartë.

Ky është një mesazh që përcillet në bazën e PD, sipas të cilit Basha nuk ka as mbështetjen e njerëzve të zgjedhur me “dorë” prej tij në forumet dhe strukturat drejtuese, pjesë e shtuar mosbesimi ky dhe për faktin se baza e PD është e bindur se me Lulzim Bashën në krye të kësaj partie, e kanë gati të pamundur të vijnë në pushtet. Pra nuk e mundin Ramën në zgjedhje.

Duke mos hyrë shumë në analizën e akuzave të Berishës ndaj Bashës për pabesi, korrupsion, për dosjen e lobimit rus në SHBA në kurriz apo me akuzën se është marrë peng nga Edi Rama, fakt është se Kuvendi Kombëtar i PD praktikisht funksionon me delegatët e vjetër.

Të cilët në një rast të mundshëm mund t’i bëjnë “gjëmën” Lulzim Bashës, nëse mblidhet ky Kuvend për të analizuar situatën paszgjedhore siç pretendon Berisha dhe mbështetësit e tij, dhe për të shkarkuar Bashën e zgjedhur një drejtues të ri, ose në një rast imediat vetë Sali Berishën.

Prandaj Berisha po bën çfarë është e mundur të tregojë se është i fortë fizikisht dhe mendërisht, me gjithë 77 vitet që ka mbi supe dhe që në një vend normal me gjithë këto “dekorata pushteti” e drejtimi që ka pasur në karrirën e tij politike, kryetar i PD 22 vite zyrtarisht dhe 30 vite realisht, President 5 vitehe kryeministër 8 vite rresht, duhej të ishte në pension politik dhe pleqërie.

Këtë “forcë” Berisha kërkon ta demonstrojë me takime masive, deklarata radikale, por dhe me panelin që mban pas, të rinj dhe të reja. Madje duke thirrur në “foltore” deri edhe persona nga Amerika, për t’ua servirur ndjekësve si mbështetje amerikane për lëvizjen e tij, si në rastin e Evi Kokalarit.

Nuk është pa ndikim kjo tek një elektorat të indoktrinuar për 30 vite nga vetë Sali Berisha, dhe të ndihmuar nga humbjet e njëpasnjëshme të Lulzim Bashës në 8 vite opozitë përballë Edi Ramës.

Një parti funksionon si grupim vullnetar që lufton për të ardhur në pushtet, ndërkohë që Basha nuk ka mundur ta bëjë një gjë të tillë për 8 vite.

Këtë kërkon të evidentojë me të madhe Berisha në takimet me bazën e PD, kryesisht ithtarë të tij, duke e paraqitur veten si një politikan që, megjithëse nga viti 1992 nuk i ka pasur votat e djathta për të qeverisur, ia ka dalë të jetë 13 vite në pushtet. Megjithëse tani është “non grata” në SHBA.

Dhe nuk është se nuk ngjisin zotimet e Berishës për të sjellë PD në pushtet, pas 12 viteve tashmë që po mbeten rrugëve për shkak të paaftësisë, pazareve sipas tij, dhe të gjumit të thellë ku ka rënë Basha, të cilin Berisha dhe demokratët e akuzojnë se mendon vetëm për interesin personal të tij dhe të familjes së tij.

Ndaj shpalljen “non grata” nga SHBA nën akuzën se ka vjedhur shqiptarët dhe ka minuar demokracinë në Shqipëri, Berisha po e kalon lehtësisht në PD. Madje po përgatitet që përpos suportimit të këtij vendimi, Berisha të kalojë tërë zemërimin e demokratëve tek Basha, si një lider pa këllqe që nuk duron presion, të kapur dhe të paaftë për të drejtuar partinë.

Dhe deklaratat më të fundit të Bashës se do të fillojë betejën kundër Edi Ramës, do të ngrejë tre komisione hetimi për qeverisjen e tij, shkaktojnë shumë humor te anëtarësia e PD e mbështetësit e saj, duke filluar nga rrjetet sociale e përfunduar në mbledhjet e grupit parlamentar të kësaj partie.

Praktikisht situata në PD është jashtë kontrollit të Bashës, dhe mbështetja e SHBA e BE për të nuk mjafton për të përballuar skenarin e Berishës, i cili pretendon të rimarrë drejtimin e PD, zyrtarisht apo indirekt përmes një kandidati tjetër. Basha duhet të lëvizë edhe vetë dhe të luajë fort lojën politike të imponuar nga Berisha brenda PD.

Në krye të herës duhet të theksojmë se nëse Sali Berisha arrin të thërrasë Kuvendin Kombëtar të PD, përmes firmave të mbledhura, atëherë shkarkimi i Lulzim Bashës është një fakt i kryer. Gjithnjë nëse e ka seriozisht Berisha për ta kryer këtë akt. Pasi dyshojmë fort se Berisha po kërkon rikthimin e PD në situatën e mëparshme, të bashkëdrejtimit të partisë me Bashën. I cili ka lënë një shteg hapur teksa ka vlerësuar arritjet e Berishës dhe është deklaruar “dorëjashtë” nga vendimi për përjashtimin e tij, duke thënë se ka qënë jo dëshirë e tij, por një këmbëngulje e amerikanëve.

Paburrëri do të thotë dikush, duke argumentuar se Basha nuk mban dot as përgjegjësinë e “atvrasjes”, por kështu është gatuar ai. I prirur drejt dhuratave politike, dhe “dhurata” amerikane për të është një më tepër në togun e “dhuratave” të marra nga Berisha për 16 vite me radhë. Pa harruar holandezin e dikurshëm të rinisë së hershme që e “sajdisi” që në vizitën e parë!

Pra nëse Berisha arrin të mbledhjë Kuvendin, me ata delegatë të zgjedhur para shumë vitesh, ai e shkarkon në vend Bashën. Kjo është e vërteta e hidhur, të cilën e dinë dhe ata që bëjnë “pirueta” nëpër panele televizive, komente mediatike apo daljeje publike. Eshtë fakt ky, “gajreti” për Bashën s’bën punë, vetëm sa e vë në “gjumë” sensin reagues të tij! Apo ta marrë lehtë këtë punë.

Pra është me vend që demokratëve t’ju thuhet troç ky fakt, mjaft i kanë mashtruar politikanët. Që të reagojnë, për të parë nga e ardhmja e jo e shkuara, sado e konsoliduar dhe e fortë të duket. Jo të shprehen se duhet të ndodhë ndryshe, por të paralajmërohen se ka shanse që të ndodhë.

Dhe nëse Berisha e shkarkon në Kuvendin Kombëtar, Lulzim Basha nuk “puth” më në PD.

Metodat e Berishës janë të ashpra dhe kanë treguar ndër vite se ai i zbaton vendimet e tij përjashtuese me çdo mënyrë, deri dhe përmes atyre “të fortëve” që i kanë mbetur afër.

Por do të largohen dhe aleatët tanë të mëdhenj, SHBA dhe BE, të cilët nuk do të kenë kurrë më partner Berishën në PD, ndërsa demokratët do mbetet rrugëve, jo më 12 vite siç ndodhi me Bashën kryetar, por për një kohë pa caktim.

Ndaj Lulzim Basha nuk ka vendimin e jetës përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar, pasi e ka “këmbëkryq” në Këshillin Kombëtar të PD si anëtar, si dhe dominant  në bazën e partisë, por bllokimi i mbledhjes së Kuvendit Kombëtar, që kërkon Berisha të realizojë përmes firmave.

Kjo do të paralizonte çdo veprim të mëtejshëm për shkarkimin e tij dhe për këtë Basha duhet të kërkojë mbështetjen e zërave më të fortë në PD, jo vetëm të një anëtari kryesie, ish kolegun tonë gazetar. I cili është zëri i vetëm që e artikulon një ndërmarrje të tillë.

Nëse dikush shqetësohet se PD ndahet në dy pjesë, e vërteta është se shqiptarët e kanë treguar më se njëherë se shkojnë me më të fortin, dhe pjesa që mund të shkëputet do ketë fatin e largimeve të tjera ndër vite, që asnjëherë nuk arritën të bëhen forca të vërteta politike në tregun e politikës shqiptare.

Ndaj këtu Basha duhet të luajë fort, me të gjitha mënyrat për të mbetur kryetar i PD, ndryshe do t’i duhet të presë biletë vetëm vajtje për në Holandë, dhe vizita në selinë e PD buzë Lanës do t’i rezervohet vetëm me “vizën” e Berishës apo kushdo tjetër që do të jetë në krye të partisë më të madhe opozitare. Të shohim nëse Basha është forcuar sa duhet, apo trimëruar nga “atvrasja”.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ Mbyllja e TikTok, 81% e shqiptarëve pro vendimit të qeverisë

Sondazhi/ Mbyllja e TikTok, 81% e shqiptarëve pro vendimit të qeverisë