Nis rindërtimi i shkollës së mesme "Qemal Stafa"
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ishte sot në nisjen e rindërtimit të shkollës së mesme "Qemal Stafa"
TIRANË, 22 Shkurt /ATSH-Gjergji Mima/ -Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ishte sot në nisjen e rindërtimit të shkollës së mesme "Qemal Stafa", një investim prej rreth 152 milionë lekësh.
Përfundimi i punimeve që do të zgjasin 10 muaj do të reduktojë shkollën me dy turne dhe do të ndryshojë rrënjësisht kushtet e mësimdhënies dhe shërbimit ndaj nxënësve të kësaj shkolle.
Projekti i Bashkisë së Tiranës parashikon ndërtimin e një shtese në objektin ekzistues. Godina do të pajiset me sistem ngrohje qendrore, kaldajë me peletë. Sheshet e grumbullimit do të bëhen me beton të stampuar do të shtohet  një sipërfaqe prej 186m² gjelbërim. Do të vendoset sistemi MKZ (sistemi i mbrojtjes kundër zjarrit)dhe sinjalistika përkatëse. Do të bëhen kanalizimet e ujërave te zeza e te bardha.
Shkolla pas ndërhyrjes do të ketë 34 klasa, 5 laboratorë, drejtorinë, 2 nëndrejtori, sallë mësuesi, salla e mbledhjeve, psikolog, dentistë, fast-food, palestrën dhe ambientet ndihmëse të saj.
Gjithashtu, në pjesën e pasme të godinës do të ketë 3 terrene sportive, duke shtuar kështu 1100m² terrene. Kryebashkiaku Lulzim Basha ka parë sot nga afër nisjen e punimeve në këtë shkollë e cila sot u shërben 1300 nxënësve të kryeqytetit
Nis rindërtimi i shkollës së mesme "Qemal Stafa"
"1300 gjimnazistët e "Qemal Stafës", duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm, pra pas një periudhe 10 mujore të rindërtimit të gjimnazit "Qemal Stafa" do të mund të shërbehen me turnin normal, një turn pra të gjithë gjimazistët, në fakt kapaciteti do të shkojë nga 1300 në 1400 gjimnazistë për këtë institucion të rëndësishëm të arsimit në Tiranë, vendosur në zemër të Tiranës por ndonëse ka pasur dy ndërhyrje gjatë 20 viteve të kaluara, në tërësi këto ndërhyrje kanë mbetur në nivelin e fasadës. Është pritur për një kohë të gjatë nga banorët e zonës, prindërit dhe vetë gjimnazistët kjo ndërhyrje në gjimnazin "Qemal Stafa", ndaj sot me fillimin e punimeve dhe me garancinë se punimet do të përfundojnë në kohë për të nisur semestrin e dytë të vitit të ardhshëm në gjimnazin e ri, ne plotësojmë jo vetëm një dëshirë por një nevojë akute të kësaj pjese të komunitetit kryeqytetas", u shpreh  Basha.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ishte sot në nisjen e rindërtimit të shkollës së mesme "Qemal Stafa"
Punimet ne shkollën "Qemal Stafa" e ndërtuar që në vitin 1950 duhet të kishin përfunduar nëse nuk do të mbaheshin peng nga lufta politike që qeveria që në nisje të mandatit të saj i hapi Bashkisë së Tiranës.
"Është e jashtëzakonshme që një proces i tillë të mbetet peng i vullneteve politike. Kemi dashur ta nisim këtë projekt prej kohësh dhe ndonëse taksapaguesit e Tiranës janë taksapaguesit më të mëdhenj të buxhetit qendror të shtetit, ata janë të fundit që përfitojnë nga grantet. Mentaliteti i diskriminimit politik është një e keqe, e keqja tjetër është papërgjegjshmëria me lekët e taksapaguesve. Çdo qindarkë e taksapaguesve ka një vlerë të jashtëzakonshme, veçanërisht në kohë krize ekonomike.  Si kryetar i Bashkisë kam vendosur që çdo qindarkë të taksapaguesve të Tiranës ta vendos në investime që u shërbejnë qytetarëve të Tiranës, nga të cilat qytetarët e kryeqytetit marrin ato që kanë nevojë dhe nevojat e këtij qyteti janë të mëdha, janë shumë më të mëdha se sa mjetet që kemi në dispozicion, gjysma e së cilave janë marrë peng me ardhjen e kësaj qeverie para një viti e gjysmë", theksoi kreu i Bashkisë së Tiranës.
Nis rindërtimi i shkollës së mesme "Qemal Stafa"
Nga shkolla "Qemal Stafa", Basha i bëri thirrje kryeministrit Rama se në këtë situatë të rëndë që po kalon vendi, në kushtet e krizës ekonomike dhe papunësisë në rritje, çdo qindarkë e taksapaguesve duhet të kthehet në shërbim ndaj tyre dhe në nxitje të zhvillimit ekonomik e jo të përdoret për shoë.
"Si kryetar i opozitës, i bëj thirrje kryeministrit të heqë dorë nga projektet fasadë, nga projektet e luksit që shoqërohen me pretendime për korrupsion galopant dhe në këtë kohë krize të vendosë çdo qindarkë të taksapaguesve shqiptarë" , deklaroi kryebashkiaku Basha.
/f.n/