Debate mes deputetit socialist Erjon Malaj dhe deputetes së PD-së, Ina Zhupa, janë regjistruar sot në Komisionin e Kulturës lidhur për protestat dhe qëndrimin e opozitës ndaj tyre.

Malaj akuzoi opozitën se po përpiqet të përvetësojë kauzat e protestuesve dhe i kujtoi Zhupës  se protestuesit nuk po i lejojnë demokratët as të qëndrojnë në trotuar, e jo më t'u japin votën. Sipas tij, edhe brenda PD-së ka nga ata që e kanë kuptuar këtë situatë,

“Protestuesit nuk po ju lejojnë ju të rrini në një trotuar, jo t’ju japin votën. Ka shumë elementë të PD-së që këtë e kanë kuptuar. Se në çdo kauzë ka grupime që shkojnë për të vjedhur kauzën e fitojnë, por nuk fitojnë asgjë e vetëm tkurren”, u shpreh Malaj.

Deputeti socialist vijoi kritikat ndaj demokratëve, duke u thënë se me qëndrimet e tyre po dëmtojnë politikisht veten.

“Ju po i bëni vetes vetëvrasje politike, duke bërë populizma të tipit ‘u ndalua Agroni me flamur kombëtar’”, tha ai.

Nga ana tjetër, Zhupa pranoi se mes protestuesve ka edhe qytetarë që nuk e shohin PD-në si alternativë politike, por theksoi se ata i bashkon kundërshtimi ndaj kryeministrit Edi Rama.

“Sot dalin dhe ata që nuk e shohin PD-në si alternativë, por na bashkon një gjë: e keqja e madhe e këtij vendi, Edi Rama”, deklaroi Zhupa.

Debati mes dy deputetëve nisi pasi Zhupa ngriti çështjen e ndalimit të protestuesit Agron Jemini, duke pretenduar se ai ishte marrë nga policë civilë, ishte goditur dhe ishte mbajtur në komisariat në mënyrë të paligjshme.