TIRANE-Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u prezantoi sot në selinë blu përfaqësuesve të Dhomës Gjermane të Tregtisë shtyllat e programit ekonomik të Partisë Demokratike nëse do të vijë në pushtet. Zyra e shtypit të PD-së njofton se Basha i njohu përfaqësuesit e investitorëve gjermanë me planin e tij dhe të PD për injektimin në ekonomi të parave të taksave të shqiptarëve.

Ndryshe nga vendet rajonit, qeveria Rama paratë e taksapaguesve shqiptarë i ka shpërdoruar me rilindjen urbane, 800 milion euro, dhe 2.2 miliard për koncesione e PPP. Ne do t’i kthejmë këto para në ekonomi, infrastrukturë dhe stimuj për të thithur investimet e huaja strategjike. Qeverisja e ardhshme do të marrë vendimet e duhura që potenciali që ka Shqipëria të kthehet në zhvillim ekonomik, punësim dhe thithje të investitorëve të huaj. 2.2 miliardë euro janë kontratat për PPP-të, ndërkohë që gjatë periudhës së pandemisë është paguar për ekonominë, biznesin dhe shtresat në nevojë 22 herë më pak, vetëm 100 milionë euro. Mungesa totale e strategjisë dhe masave, nga ana e qeverise, ka sjellë jo vetëm rëndim të situatës së pandemisë, por edhe thellim të krizës ekonomike" tha Basha.

Po sipas njoftimit të shpërndarë për mediat nga PD-ja përfaqësuesit e Dhomës Gjermane të Tregtisë ngritën shqetësimet e tyre në Shqipëri. "Një nga shqetësimet kryesore të investitorëve është klima dhe siguria e biznesit, çështje që është përcaktuese në stepjen e investimeve të huaja në vendin tonë, klima e biznesit dhe mungesa e konkurrueshmërisë janë disa nga barrierat kryesore të thithjes së investimeve në Shqipëri. Përfaqësuesit e DIHA ngritën edhe probleme të tjera që kanë të bëjnë me fuqinë punëtore, pasi largimi në masë i të rinjve ka ndikuar shumë në rënien e fuqisë punëtore" thuhet në njoftim.

Shtyllat e programit ekonomik, që Basha u prezantoi investitorëve gjermanë, sipas PD-së
1. Klimë pozitive, hapje, konkurrencë dhe luftë monopoleve. Transparencë totale e çdo akti qeveritar, që nga prokurimet publike.

2. Karantinim të inspektorateve deri në hartimin e një kuadri ligjor europian për inspektoratet. Kjo i jep fund klimës së terrorit. Moratorium 1-vjeçar për inspektoratet. 

3. Reduktimi i lejeve, liçencave dhe shumë procedurave të tepërta.

4. Taksë e sheshtë 9 përqind. Sigurimet shoqërore 18 përqind dhe eliminim të rritjes së taksës së qarkullimit të vendosur 24 lekë/litër nga qeveria Rama.

5. Vetëm 1 taksë biznesit të vogël, 0.5 përqind të xhiros.