Bashkëbisedim i Kryeministrit Edi Rama me fermerë të Gruemirës në Malësinë e Madhe

Mirë se ju gjeta!

 

Është kënaqësi që jam përsëri këtu në Malësi të madhe. Kemi ardhur shpesh dhe jemi vërtetë të motivuar pozitivisht nga puna shumë e mirë që po bën bashkia e re dhe mbi të gjitha, nga transformimi i madh që premton ndërhyrja masive që kemi bërë edhe këtu, por edhe në pjesën tjetër të territorit të Shqipërisë, për të çliruar njerëzit që punojnë me tokën nga një makth i madh, 25 vjeçar, i mungesës së ujit në parcelë. 600 hektarë tokë buke sot, në Malësinë e madhe, më në fund ka ujë. E përkthyer kjo në ekonominë familjare do të thotë rritje e ndjeshme e fuqisë ekonomike të çdo familjeje; E përkthyer në ekonominë familjare do të thotë rritje e ndjeshme e këtij sektori.

 

Kemi parë që këtë vit, efektet pozitive të punës sonë krejt ndryshe, me politika krejtësisht të reja në sektorin e fshatit, por jam i bindur që me përfundimin e këtij operacioni masiv në gjithë territorin do të kemi vitin e ardhshëm, një pamje shumë më të plotë të rezultateve që vijnë vetëm nga ky element, ujë në parcele dhe kanalizime për të penguar përmbytje e kota, të panevojshme, të prodhimit, edhe nga një shi i zakonshëm.

 

Sigurisht që puna jonë nuk mbaron këtu. Pavarësisht të gjitha atyre që kemi bërë, unë jam shumë i vetëdijshëm dhe dua që shumë sinqerisht ta ndaj me ju këtë, jam më i vetëdijshëm se kushdo tjetër për problemet e mëdha që mbeten për t’u trajtuar dhe për t’u zgjidhur.

 

Jam më i vetëdijshëm se askush tjetër për dhimbjet, për shqetësimet e hallet e shumë familjeve, sidomos familjeve që jetojnë në fshat apo periferitë urbane.

 

Jam shumë i vetëdijshëm për faktin se gjithë ky program i Rilindjes Urbane, qoftë në zonën e qytetit apo në zonën e fshatit, që sot është një zonë e integruar, falë reformës historike administrative-territoriale, nuk ka arritur të prekë shumë zona e shumë komunitete.

 

Ka komunitete të tëra në Shqipëri që me të drejtë mund të thonë, po shohim në televizor apo në rrjetet e tjera të informimit se çfarë ndodh, por këtu tek rruga ime, tek fshati im nuk po shoh gjë. Por nga ana tjetër jam i bindur se më mirë se kushdo tjetër, vështirësinë e jashtëzakonshme të këtij transformimi nga një epokë ku të gjithë ishin lënë në dorë të Zotit e në dorë të vetes dhe ku vetëm një pjesë e vogël përfitonin, falë kanaleve të ndryshme të interesave apo të komunikimit me qeverinë qendrore dhe vendore, e dini ju. Një transformim që nuk mund të bëhet sa hap e mbyll sytë.

 

Ju jeni njerëz që punoni me tokën dhe e dini shumë mirë që nga mbjellja e farës deri te marrja e prodhimit është një histori e gjatë, e mundimshme dhe e lidhur me shumë faktorë. E dini po ashtu shumë mirë se në këtë zonë janë bërë shumë investime nga emigracioni dhe shtëpitë e dikurshme për t’u rindërtuar, apo për t’u bërë krejt të reja, nuk janë bërë as për një vit, as për dy vjet, po janë bërë falë një pune me gjak e djersë, me kursime e privime të mëdha, në vite të tëra.

 

E njëjta gjë është edhe me shtëpinë tonë të përbashkët, Shqipërinë. Nuk gjetëm një shtëpi që ishte në terezi, kur ne morëm qeverisjen. Gjetëm një shtëpi rrëmujë, ku kush mundte merrte nga shtëpia për hesap të vet dhe ku familja shqiptare në tërësi mbetej pa marrë shumëçka dhe mbi të gjitha gjetëm një shtëpi mbytur në borxhe. Borxhe, të cilat rrezikonin të na çonin në humbjen e shtëpisë.

 

Në shtator të vitit 2013, ne kishim përpara rrezikun e madh të kolapsit energjetik dhe të pamundësisë për të paguar rrogat dhe pensionet në nëntor dhe dhjetor, për shkak të borxheve dhe për shkak të faktin se askush nuk jepte më borxh. Sot jemi në një situatë krejt tjetër. Unë e di  shumë mirë që shlyerja e borxheve, apo vënia në kontroll e borxhit publik, që është borxhi i të gjithëve ne, nuk është diçka që ndjehet në tavolinën e bukës, apo në jetën e familjes dhe në cilësinë e jetës së fëmijëve, por është diçka me rëndësi shumë të madhe, pa të cilën, ne nuk mund të ndërtojmë një mirëqenie të qëndrueshme.

 

Sidoqoftë, programi i ujit në parcelë, deri në fund të mandatit do të jetë një program i kompletuar dhe një zotim madhor  i mbajtur.  Ju e dini shumë mirë, 25 vjet, shumëkush që donte të jetonte me tokën e vet nuk e bënte dot. Është e lehtë të flasim pse ikin njerëzit apo të rinjtë, sidomos ata që jetojnë në zona rurale. Por çfarë të bënin, të rrinin këtu, duke parë babën që përpëlitej thjesht dhe vetëm se në tokën e tij nuk mbillte dot gjë, sepse nuk kishte ujë!

 

E jo vetëm ujë, por edhe të tjera gjëra. Ne kemi nevojë të shkojmë më tutje.

 

Buxheti i shtetit ka një kufizim të madh, në raport me nevojat e jashtëzakonshme për financim që ka fshati, por, mbi të gjitha, për nevojat e jashtëzakonshme  për mbështetjen që ka familja fermere. Nuk ka asnjë vend në botë, as Gjermania, as Franca, që janë superfuqi ekonomike, ku familja fermere gjithçka ta bëjë vetë, pa mbështetjen e shtetit. Nga ana tjetër, shteti nuk është financuesi i vetëm, por mbi të gjitha është garantuesi i financimeve.

 

Unë jam këtu, për të vazhduar t’i flas njerëzve në fshat, për një mundësi të re që ne kemi krijuar. Një mundësi të re në bashkëpunim me bankat dhe me ndërmjetësimin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim që vë në dispozicion, përmes shtetit dhe falë Fondit Kombëtar të Garancisë për bujqësinë, një volum të madh parash që do të jenë kredi shumë të favorshme për njerëzit në fshat, domethënë, kredi të cilat garantohen nga shteti.

 

Ju nuk do keni nevojë të shkoni nëpër banka, por thjeshtë do të paraqisni projektin tuaj tek shteti nëpërmjet Agjencisë për Zhvillim Bujqësore dhe Rural [AZHBR] dhe është AZHBR-ja që do të bëjë ndërmjetësimin dhe do t’u drejtohet bankave, duke pasur mbrapa mbështetjen e qeverisë përmes Fondit të Garancisë.

 

Është shumë e rëndësishme që në këtë program, që ka kapacitet deri në 300 milionë euro në dispozicionin tuaj, të përfshihen përveç sipërmarrësve të mëdhenj, që dinë si bëhet një projekt dhe që kanë marrtë financime nga bankat apo nga Bashkimi Europian, edhe fermerët më të vegjël. Për këtë duhet një punë e madhe e bashkisë, në bashkëpunim me komunitetin, për t’i mësuar si bëhet një projekt dhe si ky projekt aplikohet për financim.

 

Kini parasysh që sot, fermerët në Europë janë jashtëzakonisht të ditur lidhur me kanalet e financimit nga Bashkimi Europian dhe nga bankat. Ne këtë dituri nuk e  kemi trashëguar dhe e kemi ende shumë të vogël. Padija në këtë aspekt na pengon jashtëzakonisht shumë që të kemi më shumë para në dorë. Paratë në Bashkimin Europian merren me dije. Duhet të dish të besh projektin e duhur, duhet të dish ta prezantosh në mënyrën  duhur dhe duhet të dish ta garantosh suksesin.

 

Ky është një proces i vështirë, por që duhet ta fillojmë. Tani, ne kemi në dispozicion financimin. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Pra, mund ta 50, 70, 80, 100-fishojmë kapitalin që hedhim në fshat, i cili sot është komplet vetëm buxhet shteti. Me buxhetin e shtetit shqiptar, sot dhe për 50 vjet nuk plotësohen as 1/100 e nevojave të fshatit. Ndërsa, nëse buxhetit të shtetit shqiptar i shtojmë kapitalin që vjen nga sektori financiar, duke garantuar ne, mund të bëjmë një përmbysje historike në fushën e prodhimit dhe të eksporteve në fshat dhe mund të rrisim potencialin ekonomik të çdo familjeje, siç nuk mund e imagjinoni. 

 

Nga ana tjetër, për t’ju ardhur në ndihmë, që sa më shpejt të fillojnë aplikimet, ne do t’u vëmë në dispozicion bashkive ekspertë dhe do të vëmë në dispozicionin tuaj, edhe disa sportele unike, ku ju do keni mundësi të shkoni e të merrni informacion, që është baza, si dhe do të keni asistencë për të bërë projekte. Ju lutem, konsiderojeni këtë si një gjë shumë të rëndësishme.

 

Gjëja më e mirë është që, nëse në Shqipëri, por dhe në Malësinë e Madhe, nuk do të kishte raste fermerësh që sot janë kthyer në sipërmarrës, falë faktit që kanë ditur të marrin fonde, atëherë ky do të dukej si një muhabet në erë. Por nuk është kështu, është një bisedë shumë konkrete. Janë këtu, bashkëqytetarë tuaj, janë bashkëfshatarë tuaj, malësorë si ju, njerëz që kanë bërë sukses, që sot kanë biznese të mëdha bujqësore apo blegtorale, të agropërpunimit, të agrobiznesit, sepse kanë ditur si t’i marrin fondet. E kjo duhet të shtrihet sa më shumë. Ne nuk synojmë që të forcojmë vetëm sipërmarrësit e mëdhenj. Janë shumë të rëndësishëm për të krijuar punësim dhe eksporte. Ne synojmë të forcojmë familjen fermerë me këtë proces. Është një proces i vështirë, por krejtësisht i mundur.

Duhet kuptuar një orë e më parë që një familje fermerë nuk mund të vazhdojë të jetë një familje që mbijeton duke ngrënë prodhimin e vet. Ajo duhet të jetë një biznes i vogël dhe është e mundur që të bëhet një biznes i vogël. Por për të qenë një biznes i vogël, duhet të ketë një kapacitet financimi që sot nuk e ka, sepse nuk ka kapitalin e nevojshëm. Dhe pikërisht këtë kapital ia garanton Fondi i Garancisë Kombëtare dhe ky bashkëpunim me bankat e nivelit të dytë.

 

Ka një fakt shumë domethënës. Shqipëria ka një problem të trashëguar, historik, me kreditë e këqija. Që do të thotë, njerëz që kanë marrë kredi nga bankat dhe nuk kanë mundur t’i shlyejnë. Por asnjë kredi e keqe nuk është në fshat. Fshati është financuar shumë pak nga bankat, për arsye që ju i dini më mirë se unë, pasi interesat e larta të bankave nuk e bëjnë të lehtë financimin. Bankat raportojnë që nuk ka asnjë rast që të jetë dhënë një kredi në fshat dhe të mos jetë kthyer. Janë kredi më të vogla, sesa kreditë e këqija që janë problemi ynë, por janë kredi dhe kjo është e vërteta. Kjo na jep shumë optimizëm që ky program do të na japë sukses. Por është një sukses që nuk e bën dot qeveria vetë, duhet ta bëjmë së bashku, qeveria, bashkitë dhe fermerët.

 

Fshati nuk është vetëm toka dhe prodhimi. Fshati ka nevojë edhe për kopsht, edhe për çerdhe, edhe për shkollë, edhe për mbështetje mjekësore.

 

Ne kemi bërë një punë, për të cilën unë ndihem krenar, me Spitalin Rajonal të Shkodrës. Sot ishim aty, për të parë fillimin e punës së repartit të ri të Kardiokirurgjisë. Sot, Shkodra është i dyti vend mbas Tiranës, që bën ndërhyrje në zemër, për të cilat deri dje duhet të prisje më shumë se një vit. Sot ka një radhë pritjeje 4 deri në 6 javë. Ndërhyrje në zemër, për të cilat njerëzit ishin të detyruar të shkonin në Tiranë apo tek privatët e të paguanin qimet e kokës.

 

Aty takuam një grua, ndërhyrja e së cilës bëhej pas një viti, për shkak se ajo e kishte pasur të pamundur të paguante 4 mijë euro. Sot kishte bërë me sukses ndërhyrjen në Spitalin e Shkodrës, falas. E jo vetëm kjo, por edhe dializa, edhe një sërë shërbimesh të tjera që deri dje as nuk mund të imagjinoheshin në këtë rajon, sot mbulohen nga spitali i Shkodrës, që përfshin gjithë këtë territor, Malësinë e Madhe, Pukën, Vaun e Dejës. Madje, edhe ata që janë në Lezhë, sot kanë një zgjedhje midis Tiranës dhe Shkodrës.

 

Ne kemi investuar me vetëdije të madhe në fillimin e transformimit të qytetit. Të qytetit që sot nuk është qyteti i ndarë nga fshati, por është qendra e bashkisë së re. Me Toninin [kryetari i bashkisë] kemi pasur një bashkëpunim fantastik, sepse ka ditur të hartojë projekte vërtetë të mira dhe kemi filluar punën për transformimin e qendrës së Koplikut, që është edhe qendra e kësaj bashkie, që ishte një çmenduri.

 

Ky zhvillim do të shtrihet. Ka shumë njerëz, lloj-lloj filozofësh e shakaxhinjsh që thonë pse investohet në qendrat e qyteteve. Investohet në qendrat e qyteteve, sepse qendra e qytetit, qendra e bashkisë është hapësira e përbashkët e komunitetit. Ajo është hapësira ku njerëzit fillojnë ndërtojnë komunitet, ndërtojnë bashkësi dhe ku ka vend për të gjithë brezat. Nuk ka në historinë e njerëzimit, që nga Greqia e Roma e Lashtë e deri sot, një komunitet, një civilizim, një ndryshim shoqëror në jetën e përbashkët, që të mos ketë filluar nga qendra.

 

Vetëm në Shqipërinë e Saliut ndodhi që 20 e kusur vite të merremi me arna. Arno këtu, arno atje dhe çdo njeri, çdo familje jetonte në shtëpinë e vet si me qenë në shkretëtirë, pa një qendër, pa një hapësirë publike, pa një qendër administrative, pa asgjë. Në këtë situatë është rritur një brez i tërë fëmijësh që janë rritur pa qytet, qoftë edhe në qytete të mëdha, jo më këtu në Koplik, apo në qytete më të vogla.

 

Qendrat po bëhen e do mbarojnë. Rilindja Urbane do të vazhdojë, do të shtrihet më tutje, do të shtrihet edhe këtu. Me Paulinin [Prefekti i Qarkut Shkodër] kemi filluar një diskutim për Bajzën, ku edhe aty ka nevojë për një ndërhyrje dhe projekti është gati. Por edhe në zona të tjera, si Tamara. Ne praktikisht kemi shtrirë projektin e Rilindjes Urbane dhe ai vend atje, kur kemi shkuar me Paulinin, ishte mrekullia e Zotit dhe marrëzia e njeriut, bashkë. Një nga vendet më të bukura që më kanë zënë sytë në jetën time, ku njerëzit jetonin nëpër kasolle, si me qenë në Mesjetë.

 

Si mundet, një vend që është thesar për të gjithë, për ata që lindin dhe jetojnë aty të jenë si në ferr! Sot, ajo është bërë një pikë që ka një fluks vizitorësh që sjellin atje, para. Jam i bindur që pak nga pak, familjet atje do fillojnë të kthehen në biznese dhe do fillojnë të ndërtojnë një ekonomi të qëndrueshme, sepse bëhet një turizëm real. Sidomos këtë vit, unë kam marrë shumë mesazhe nga njerëz që e kanë vizituar për herë të parë këtë zonë, shqiptarë apo të huaj.

 

A e dini se ç’thonë të huaj që shkojnë lart deri në Theth? - Shqipërinë e dinim vetëm det. Mrekullia shqiptare e maleve është e jashtëzakonshme. Është e pakuptueshme për ne, se si këtu nuk është vënë dorë. Dhe aty ku vihet dorë si në Tamarë, - ne do të bëjmë dhe projekte të tjera – duket qartë që ka një ndryshim shumë të madh.

 

Po ashtu me prefektin kemi folur për një problem që ai e ka një shqetësim. Sa herë e takoj, e di shumë mirë se nuk do më lëshojë pa më thënë, tokat në Malësinë e Madhe. Një fiksim që ka një kuptim shumë të madh, sepse këtu nuk ka konflikte. Këtu dihet e kujt është toka dhe njerëzit nuk janë akoma pronarë. I kam kërkuar edhe prefektit, edhe Toninit të bëjnë një plan dhe ne të fillojmë të bëjmë regjistrimin e këtyre tokave sa më shpejt. Regjistrimi i tokës është titulli i pronësisë, pa të cilin banka e ka të vështirë të japi kredinë.

 

Ne do të bëjmë regjistrimin e tokës bujqësore në gjithë territorin, por këtu ka një specifikë të veçantë, që ka krijuar edhe një ngërç. Këtë specifikë, ne do ta zgjidhim duke vënë në punë bashkinë, Këshillin Bashkiak, me Prefektin dhe do të vazhdojmë punën. Do të jetë bashkia si kudo që do të bëjë gati gjithë dokumentacionin dhe hipoteka do të regjistrojë tokën. Unë dua që këtë proces ta çojmë shumë përpara, shumë shpejt. Nuk na pengon asgjë, nëse ne jemi të vullnetshëm ta bëjmë këtë punë si duhet. Nëse ndonjë ditë do të quhet shkelje ligji, do të duhet të shkojë në burg unë, Paulini, Tonini dhe gjithë Malësia e Madhe.

 

Rëndësi ka edhe fakti që këtu kanë ndaluar komplet ndërtimet pa leje. Ashtu sikurse ka rëndësi edhe një gjë tjetër, që, pavarësisht se kam pasur shumë ankesa, falë mbështetjes që më ka dhënë Paulini dhe ia di për nder, në kuptimin e mirë të fjalës, këtu kemi një rekord të pagesave të energjisë elektrike. Rekord të pagesave të energjisë elektrike në një vend ku, kur filluam reformën, na thoshin a jeni në vete, si do paguajmë ne dritat? Ja pra, që u paguakan dritat!

 

Ndërkohë, puna që po bëhet në këtë qark me ujin e pijshëm është një model për gjithë Shqipërinë.

 

Duke thënë të gjitha këto që janë rezultate reale dhe që nuk imagjinoheshin deri para tre viteve, të mos krijohet ideja që ne kemi bërë ndonjë mrekulli këtu. Absolutisht jo! Jam i vetëdijshëm për të gjitha problemet, dhimbjet, hallet, shqetësimet. Por një gjë duhet ta dini ju dhe të gjithë; Ne mund të kemi bërë edhe punë jo dhe aq të mira, siç kemi bërë punë shumë të mira, me siguri mund të kemi bërë edhe plot gabime, por një gjë nuk e kemi bërë, që t’ju tradhtojmë. Të jeni të sigurt që po të kishim mundur të bënim më shumë, nuk do e kishim lënë pa bërë. Kemi bërë duke shfrytëzuar maksimumin e mundësive tona, sigurisht, duke marrë dhe koston që të bëjmë edhe gabime. Janë bërë edhe gabime, nuk diskutohet. Por kush punon, gabon. Nuk do të gabosh, mos dil nga shtëpia. Por dhe në shtëpi, prapë do gabosh. Nuk do të gabosh, mos u ço nga gjumi.

 

Shumë faleminderit për këtë mikpritje!  

 

Ju uroj mirëseardhjen në Malësinë e Madhe. Jam banor i Boriçit të Madh. Ne si banorë kemi probleme me ndarjen e tokës. Tek ne ligji nuk ka punuar. Qeveritë e kaluara kanë bërë sipas qejfit, i forti i ka rënë të ligut. Unë jam vetë i 7, kam njëmijë metra tokë. Kërkoj nga ana jua të ndërhyni në këtë çështje.

 

Kryeministri Rama:

Këtu ka një të dhënë historike që ligji 7501 ka funksionuar pjesërisht vetëm në Gruemirë dhe për aq sa ka funksionuar ka bërë një lëmsh. Ndërkohë që gjithë zonat e tjera janë në kufijtë e vjetër. Ajo që ka rëndësi është që kufijtë e vjetër nuk janë të kontestuar midis jush, përgjithësisht. E kjo e bën situatën të favorshme, për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare. Ne jemi të gatshëm, por duhet në radhë të parë, bashkia të bëjë punën e vet sa më shpejt, Këshilli Bashkiak, Prefekti dhe nëse do jetë e nevojshme që të marrim një nisëm ligjore të veçantë për këtë zonë, do ta marrim dhe do bëjmë regjistrimin e tokave siç janë dakordësuar midis jush, se zgjidhje tjetër këtu nuk ka. Kështu që kush i ka kufijtë e vjetër, i pranon ato kufij.

 

Ne bëmë një eksperiment edhe në një zonë të Fierit. Hipoteka ishte copë-copë, hartat ishin copë e çikë dhe jua lamë banorëve të vendosnin gurët tek kufijtë e pronave të tyre, në mirëkuptim. Të gjithë ata kishin mirëkuptim të plotë. Bëmë një fotografim me dron të zonës dhe mbi bazën e fotografimit me gurët e bardhë si shenja, janë ulur ekspertët e hartografisë, po bëhet harta dixhitale përfundimtare dhe do u japim pronën. Dhe këtë, kryetari i Bashkisë së Fierit po e shtrin dhe në zona të tjera ku nuk ka konflikte. Për këtë lesh e linë të një pjese të Gremirës, problemi është më ndryshe, sepse është futur ligji, ca janë me të vjetrën, ca janë me të renë. Nga ky sherr kanë përfituar disa të tretë që nuk janë as me të vjetrën, as me të renë, por kanë qenë me qeverinë e kaluar, e cila ju ka dashur shumë, prandaj mbrapa jua ka lënë litarin jashtë dhe problemi është më  i komplikuar. Unë besoj se ku ka vullnet, ka gjithmonë një zgjidhje. Tonini, bashkë me Prefektin, të ulen e të sjellin propozimin konkret. Ne do të japim mbështetje të plotë për ju.

 

Unë kam dy ankesa përsa i përket komunës së Shkrelit. E para, për energjinë dhe e dyta, për ujin e pijshëm.

 

Kryeministri Rama:

Në gjithë territorin e Shqipërisë, sot ka vetëm 4000 konsumatorë, ku mund të jeni dhe ju, që për arsye teknike nuk kanë dalë akoma nga aforfeja.  Ky problem do të zgjidhet brenda nëntorit. Ndërkohë, sot nuk ka më aforfe në Shqipëri. E kemi hequr dhe secili paguan atë që konsumon, bazuar në faktin që kemi vënë matës të rinj kudo ku nuk kemi pasur matës. Brenda këtij viti, të gjithë ata që janë lexues të sahateve do të jenë të lidhur fizikisht me një GPS dhe gjithë puna e tyre do të kontrollohet nga qendra në mënyrë elektronike. Nuk do ketë më asnjë kilovat/orë më shumë të shënuar, për ta paguar, nëse nuk e ke konsumuar. Për analogji me ata që i  lirojnë me kusht dhe u vënë një unazë elektronike, që kudo të shkojnë, të dihet ku janë, kështu do jenë lexuesit e OSHEE-së. Në këtë mënyrë, ata nuk do kenë më mundësi të bëjnë numra me ju, po as ju nuk do keni më mundësi të bëni numra me ta, të tilla si të shkojmë tek kafja, ta bëjmë bashkë faturën. Kjo është një nga historitë e Saliut që do të fshihet. Mbas viti të ri nuk  do ketë më asnjë konsumator që të paguajë një kokërr leku më shumë sesa konsumon.

 

Përsa i përket ujit të pijshëm, transformimi që po bëhet me ujin e pijshëm në Shkodër është historik. Por, nëse nuk është bërë 20 e ca vite, të lutem, mos e kërko çdo gjë të ndodhë menjëherë. Në zonën tënde, nuk e di,  por mund të jenë edhe 50 vjet që nuk ka vënë njeri dorë për ujin.

 

Lexuesi i sahatit, a ka të drejtë në prezencë të familjarit të thotë  kaq kilovat ke shpenzuar? Se këta me të parën fjalë thonë i ka Tirana. Për ujin e pijshëm jemi në rregull, s’kemi pas asnjëherë ndonjë ankesë.

 

Kryeministri Rama:

Deri brenda fundit të vitit, lexuesit nuk  do kenë më asgjë në dorë, vetëm të lexojë sahatin saktë. E ka Tirana është histori e vjetër, është histori e Saliut. Ju jeni njerëz që jetoni me punë. Ju e dini që punë pa punë nuk ka. Çdo gjë do punën e vet. Ka probleme të tilla sa të duash. Të falënderoj që e ngrite problemin dhe konsideroje ç’të të thashë, do të ketë kontroll të plotë elektronik mbi çdo lexues të OSHEE-së në gjithë territorin e Shqipërisë.

 

Unë e kam tokën me ligjin 7501. Është e zaptuar tash 20 e ca vjet. Shkoj ankohem në polici e ma çojnë çështjen në gjykatë. Në vende të tjera të Europës, se unë jetoj jashtë, thirret policia e policia të jep përsëri pronën tënde.

 

Kryeministri Rama: 

Nëse ai që ta ka marrë e ka regjistruar në hipotekë, nuk ta merr dot policia. Kështu që kjo është një çështje që duhet parë. Nëse ti e ke pronën e hipotekuar, e zaptuesit janë në pronën tënde të hipotekuar, patjetër që policia duhet të çojë ata në burg dhe jo ty në gjykatë.

 

Ju falënderoj shumë. Është gjithmonë kënaqësi dhe ju lutem shumë, mos harroni, por merruni seriozisht me Fondin e Garancisë, për të bërë projekte e për të marrë para nga bankat, me kredi të siguruar nga qeveria, që të vazhdoni të rrisni ekonominë tuaj familjare. ​


 

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

'Ura e dëmtuar e Rilindjes', Berisha del bllof sërish me postimin e Qytetarit Dixhital! Publikon pamje që nuk ndodhen fare në Shqipëri