TIRANE - Rritja e kujdesit për emigrantët shqiptarë dhe ofrimi i shërbimeve eficente që ofrojnë informacion dhe mbështetje për emigrantët e rikthyer në atdhe, ishin në qendër të bisedës së zhvilluar mes Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, dhe Drejtores Rajonale të IOM, Renat Held.

Ministri Ksera theksoi se, së fundmi, vëmendja e strukturave të Ministrisë është përqendruar në ndërmarrjen e hapave konkretë për fuqizimin e kapaciteteve institucionale për pritjen dhe asistimin e emigrantëve të kthyer veçanërisht nga vendet fqinje si pasojë e krizës ekonomike që ka përfshirë ekonomitë e tyre.
”Fluksi i kthimeve mund të konsiderohet normal, deklaroi Ministri, por ne jemi përgatitur edhe në rast të rritjes së tij. Emigrantëve të kthyer u ofrohet menjëherë informacioni i domosdoshëm dhe i plotë rreth legjislacionit dhe situatës në fushën e tregut të punës, shërbimeve shoqërore dhe shëndetësore, arsimit, etj. Po ashtu, shtetasve shqiptarë të kthyer që kanë nevojë për mbështetje të menjëhershme u ofrohet ndihmë ekonomike, formim profesional dhe shërbime ndërmjetësimi në tregun e punës.”

“Kthimi i shtetasve shqiptar nga emigrimi pas 20 vjetësh ka sjellë edhe një rigjallërim të tregut të punës në vend”, theksoi Ministri i Punës. “Është e qartë se sa më e plotë të jetë pasqyra e situatës së emigracionit shqiptar dhe e të rikthyerve në vend, aq më e lehtë dhe më e plotë do të jetë ndërhyrja e strukturave përkatëse për menaxhimin e situatës”, theksoi Ksera, duke u ndalur në nevojën e fillimit të një bashkëpunimi me zyrën e IOM për organizimin e statistikave të sakta për fenomenin e migrimit dhe rikthimit.

Held u tregua e gatshme të mbështesë iniciativat e institucioneve shqiptare në fushën e migrimit, duke përfshirë edhe ngritjen e një sistemi të plotë dhe të besueshëm statistikor.

Bashkëbiseduesit ndanë mendimin se zhvillimi i emigrimit qarkullues, kohët e fundit ,veçanërisht me Italinë është një nga zhvillimet më pozitive në fushën e migracionit, pasi shoqëria dhe ekonomia shqiptare ka nevojë për kapitalet dhe kapacitetet që ofrojnë emigrantët, veçanërisht ata që vijnë nga një histori suksesi në emigracion.

(im/shqiptarja.com)