BASHKËVENDOSJE!

BASHKËVENDOSJE!
Natyrisht se është një dikush ose dy dikush që vendos për fatin e mjerë të përbashkët të punëtoreve. Edhe në “Ferronikelin” e Drenasit. Vendin e votimeve masive. Drenasin e shkrirjeve masive (të xeheve). Në tokën e premtimeve të Thaçit. Aty ku kishte premtuar se “Ferronikeli” do të jetë kompania më e madhe investuese . Veçse doli të bëhet kompania më e madhe shfrytëzuese. Ky është rrëfimi për Ferronikelin e ndotjes, shpërthimeve, lëndimeve dhe … vdekjeve. Dhe solidaritetit.

Të kërcënuar se kompania nuk po arrinte të arrinte të realizojë planet e fitimit të këtij biznesi, punëtorët të bashkuar ofruan djersën e tyre. N’solidaritet. Ofruan krejt mundin e tyre për 30 ditë të verës kallëse të punojnë në shkritore, ta ndihmojnë pasurimin e padroneve për tejkalimin e problemeve financiare. Por natyrisht se është dikush tjetër që vendosë për fatin e tyre, familjeve të tyre, vocrrakëve që kanë. Shkritorja u bë zjarr ferri për 85 punëtorë. Një të hënë u ndaluan dhunshëm të hyjnë në objektin e 30 vjetëve mund. Kompania ka problem me financa. Kaq.

Kjo nuk është të humbësh punën por gati jetën. Ata po humbasin një minimum jetik që deri tash kishin. Kanë kredi për të shlyer, të vocrrit për t’i ushqyer, studimet e fëmijëve, borxh te shitorja, … Përpos që u ndaluan dhunshëm kompania shfrytëzuese iu morrën telefonat mobilë bashkë me kartela telefoni. Natyrisht së është plaçkitje por kompania thotë se janë investimet e saj. Këto ndoshta për ministrin e Punës, Nenad Rashiq janë veç lajmi i minutave të fundit të edicionit informativ. Për dikë, ndoshta për këshilltarët e kryeminsitrit, është lajmi që e lexojnë përmes iPhone-it.

Fundi i fundit ç’janë 85 punëtorë të pushuar në vendin ku cigarxhinjtë shtatë vjeçarë tashmë janë cigarxhinjë adoleshentë. Ndoshta papasja shpejt do të behët pjesë e lavdishme e historisë gjithëshoqërore ose gati gjithëshoqërore në vend. Ndoshta do të bëhet garë midis Kosovës e Shqipërisë shprehja “vend Bulqizash” apo “vend Ferronikelësh”. Ndoshta një ditë Thaçi, ky që e kemi si mallkim për kryeministër do ta përdorë si moto në fushatë ‘Krenohu, me aftësitë shumë të mira duruese të popullit të Kosovës”. S’është çudi të krenohet edhe tash kryministri i votuar në mënyrë rekorde në Drenas me shitjen e “Ferronikelit”. Vetë ishte pajtuar. Kësisoj, kompanisë miliardëshe i kishte mundësuar blerjen për 33 milionë euro. Rrëfimi prej ministrit të Zhvillimit Ekonomik (paradoks togfjalësh. Paramendo Ministria e Zhvillimit Ekonomik e Kosovës.) ishte se ky gjigant është eksportuesi më i madh vendor. Veçse, është privat, është kompani izraelite-greke, është investimi i ALFERON-it, nuk është vendore. Shto çmimin qesharak me të cilin është blerë dhe privilegjet që i ka bërë qeveria me çmim minimum të energjisë.

Kush lodhet? Përpos vetë punëtorët. Ky shtet ua ka dëshmuar se punëtorët nuk kanë shtet. Se i tyri nuk është shtet. Se në atë formë si është, ka hequr dorë prej tyre ose nuk ua ka ofruar kurrë atë. Shteti nëse është, praninë tek ta e ka shfaqur për t’i shtypur, kërcënuar nëse janë mbledhë për me i kërku të drejtat e veta, të njëri-tjetrit. Sepse punëtorët ishin ngritur nga Ferri(nikeli). Kishin protestuar disa herë me rradhë, për shpërthimet, për ndotjen, për dheun helmues të mbuluar. Kishin hyrë në greva e në ankth për të lënduarit e tjerë. Se tmerri i shpërthimeve nuk zgjidhte kohën. Në pikë të natës tmerroheshin jo veç punëtorët por edhe ndonjë grua shtatëzënë përgjumësh në shtëpinë e saj e të gjithë banorët e këtij vendi gjysmë ore larg Prishtinës. Nëse dikush u zgjua në mëngjes dhe vendosi që ata të kenë fat të mjerë, punëtorët le të bëjnë atë që po bëjnë, të pengojnë prodhimin që vetë e kishin e bërë deri tash. Të bashkëvendosin për fatin e të gjithëve aty. Teoria e njeh bashkëvendosjen e punëtorëve. Për punëtorët dhe për kompaninë edhe në ato si pronë private. Ata duhet me qenë pjesë e vendimeve e jo subjekti i vendimit si akt qyqar, vrasës siç është përjashtimi prej pune edhe ashtu të mundimshme. Disa prej t e t ë d h j e t ë e p e s ë punëtorëve do të mendojnë se është faji i tyre. Shteti do të heshtë. Siç ka heshtur në rastin e vdekjes në punëtoëve në punë. Edhe këto javë kur po vdesin punëtorë në punë. Edhe kur vdiq 24 vjeçari Armend Fejza pas lëndimeve të marra në këtë ferr (kompania shfrytëzuese “Ferronikeli”). Ndoshta shteti nuk do të heshtë krejt. Do t’u thotë se nuk është punë e shtetit të gjejë/krijojë vende punë.

Si për dreq, në kushtetutën e shtetit shkruan se gjithkush i aftë për punë ka të drejtë për një vend pune.

*autorja është gazetare dhe ky artikull është shkruar enkas për faqen zyrtare të KPS-së.

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Makinat përplasen ‘kokë me kokë’ në aksin Fushë-Krujë-Thumanë, një nga mjetet përfundon mbi barrierë! Një i plagosur

Makinat përplasen ‘kokë me kokë’ në aksin Fushë-Krujë-Thumanë, një nga mjetet përfundon mbi barrierë! Një i plagosur