Bashkëpunimi me OSBE-në në fushën e drejtësisë premton rezultate


PRISHTINË, 29 Janar/ATSH/.- Ministri kosovar i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, priti sot në takim Ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger, me të cilin diskutoi për projektet dhe koordinimin e aktiviteteve në fushën e drejtësisë. "Bashkëpunimi me OSBE-në në fushën e drejtësisë premton rezultate", thekson njoftimi i dërguar nga ministria kosovare.
Ministri Kuçi, gjatë këtij takimi ka falënderuar Ambasadorin Schlumberger për kontributin që po jep OSBE në fushën e drejtësisë. Ministri ka diskutuar nismat e OSBE-së në fushën e sundimit të ligjit, përkrahjen për Odën e Avokatëve të Kosovës, Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Gjykatën Supreme, si dhe profesionin e noterisë.
Ministri Kuçi ka kërkuar mbështetje nga OSBE-ja si partner legjitim gjatë procesit të vlerësimit gjithëpërfshirës të sistemit të drejtësisë, që pritet të shpalosë arritjet e deritanishme në fushën e drejtësisë, si dhe të shërbejë si udhëzues i veprimeve në vijim.
Ministri Kuçi dhe Ambasadori Schlumberger, gjithashtu kanë folur për mbarëvajtjen e procesit të themelimit të Akademisë së Drejtësisë, që do të shërbejë si ombrellë e përgatitjes profesionale të gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve dhe personelit mbështetës.
Ministri ka informuar Ambasadorin për Strategjinë për Asistencë në Fushën e Sundimit të Ligjit, që do të shërbejë si udhëzim për koordinimin e përpjekjeve të donatorëve në mënyrë që të arrihen rezultate edhe më të larta në fushën e drejtësisë.
Schlumberger prezantoi projektet që po realizohen nga OSBE-ja në fushën e drejtësisë./b.j//m.m/

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?