Në Mynih, mes takimeve të Konferencës së Sigurisë, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u ul në një tryezë me një nga emrat e rëndësishëm të socialdemokratëve gjermanë. Ai zhvilloi takim me Sonja Eichwede, nënkryetare e Grupit Socialdemokrat në Bundestag.
Eichwede konsiderohet një zë me peshë në çështjet e drejtësisë në Parlamentin Federal të Gjermanisë dhe është aktive në komisionet që lidhen me shtetin e së drejtës dhe sistemin gjyqësor. Sipas Ballës, roli i saj është kyç në hartimin dhe mbikëqyrjen e legjislacionit që garanton pavarësinë e gjyqësorit, forcimin e institucioneve demokratike dhe sigurinë juridike.
Balla vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Bundestagut gjerman ndaj Shqipërisë, veçanërisht në proceset që lidhen me drejtësinë dhe shtetin e së drejtës.
Takimi u konsiderua si një tjetër hap në forcimin e dialogut politik dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.
"Kënaqësi të zhvilloja një bisedë me Nënkryetaren e Grupit Socialdemokrat, deputeten e Bundestagut gjerman, Sonja Eichëede, juriste me përvojë dhe një zë i rëndësishëm në çështjet e drejtësisë në Parlamentin Federal të Gjermanisë. Sonja Eichëede është anëtare aktive në komisionet që lidhen me drejtësinë dhe shtetin e së drejtës, ajo luan një rol kyç në hartimin dhe mbikëqyrjen e legjislacionit që garanton pavarësinë e gjyqësorit, forcimin e institucioneve demokratike dhe sigurinë juridike" shkroi Balla në rrjete sociale.
Komente











