Në mesazhin e saj të parë si presidente e përkohshme e Venezuelës pas kapjes së Nicolas Maduro, Delcy Rodriguez iu drejtua Presidentit të SHBA-së Donald Trump, duke e nxitur atë të "punojë së bashku" dhe duke bërë thirrje për një marrëdhënie respekti midis dy vendeve, të karakterizuar nga "paqja dhe dialogu, jo lufta". Rodriguez e bëri këtë apel pasi kryesoi mbledhjen e saj të parë të kabinetit. 

“Presidenti Donald Trump, popujt tanë dhe rajoni ynë meritojnë paqe e dialog, jo luftë. Venezuela ka të drejtën e paqes, zhvillimit, sovranitetit dhe një të ardhmeje. Ky ka qenë gjithnjë qëndrimi i presidentit Nicolas Maduro dhe është qëndrimi i gjithë Venezuelës në këtë moment”, tha ajo.

Më tej vijoi:

Vendi ynë asipron të jetojë pa kërcënime të jashtme, në një klimë respekti dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Ne besojmë se paqja botërore ndërtohet së pari duke siguruar paqen e çdo kombi. Ne ftojmë qeverinë e Shteteve të Bashkuara të bashkëpunojmë në një program bashkëveprimi të drejtuar nga zhvillimi i përbashkët, brenda kornizave të ligjit ndërkombëtar dhe për të forcuar bashkëjetesën e qëndrueshme të komunitetit

Por Trump e ka paralajmëruar se ajo “mund të paguajë një çmim të madh, ndoshta edhe më të madh sesa Maduro” nëse “nuk bën çfarë është e drejtë.”

Sa për Venezuelën, shtoi: “Ndryshim regjimi, çfarëdo doni ta quani, është më mirë sesa ajo që keni tani. S’ka ku shkon më keq.”

Trump është betuar se SHBA-të do të udhëheqin vendin derisa të bëhet i mundur një “tranzicion i sigurt dhe i drejtë.” Ai ka premtuar edhe se kompanitë amerikane të naftës do të zhvendosen atje për të rregulluar infrastrukturën dhe “do të nisin të prodhjnë para për vendin.”

Rodriguez mbështetet nga Gjykata Supreme dhe ushtria. Sot (e hënë) ajo do të betohet si presidente në Caracas, në orën 08:00 lokale.

Delcy Rodríguez është një bashkëpunëtore besnike e Maduro dhe është shfaqur shpesh në ngjarje të ndryshme krah presidentit e gruas së tij.

Si avokate e diplomate, ajo ka mbajtur funksione të ndryshme politike gjatë udhëheqjes së Maduro.

Në rolin e zv/presidentes, 56-vjeçarja ishte pjesë e rrethit të tij të ngushtë dhe e ka quajtur si “presidentin e vetëm” ndërsa kërkonte lirimin e tij.

Të shtunën, Trump tha se Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, kishte biseduar me Rodriguez, e cila kishte shprehur gatishmërinë për të bërë “çfarëdo që kërkojnë SHBA-të.”

Kjo bien në kundërshtim me refuzimin e saj të hapur që Venezuela të bëhet “koloni e një perandorie."