Duke folur nga Dibra për ‘Bashkëqeverisjen’, kryeministri Edi Rama tha se do të shtrojnë në pyetësorin ‘Këshillimi Kombëtar’ për qytetarët edhe nëse duhet që emigrantët të deklarojnë të ardhurat e tyre, në mënyrë që të kenë mundësi të investojnë në vendin tonë.
‘Çështja e kursimeve të emigrantëve. Ne e dimë shumë mirë historinë e emigracionit në Shqipëri, përpjekjet e jashtëzakonshme të tyre për të fituar duke punuar dhe për të kursyer për të ndihmuar dhe familjet. Ka pa diskutim shumë kursime të emigrantëve të bëra në vite të cilat nuk janë të formalizuara. Procedurat janë të tilla që kërkojnë justifikime nëpërmjet dokumenteve dhe që vënë përpara vështirësish të jashtëzakonshme për të justifikuar burimin e atyre të ardhurave. Këtu flasim për burim nga puna, jo për aktivitete kriminale. Përderisa në shumë vite dhe qeveri të mëparshme e kanë tentuar këtë vendim dhe nuk e kanë marrë, do të thotë që nuk është një vendim i lehtë. Për këtë arsye kemi vendosur të pyesim njerëzit, a duhet ne t’i japim mundësi emigrantëve të legalizojnë paratë e fituara nga puna dhe të kenë mundësi që këto para t’i depozitojnë në banka. Dhe pastaj përmes kësaj rruge t’i investojnë në mënyrë të pastër në Shqipëri që do të thotë në mënyrë të dokumentuar, apo nuk duhet. Ky është një vendim jo i lehtë për t’u marrë dhe ne do ta marrim bazuar në atë që do të thonë qytetarët. Ndaj i lutem të gjithëve ta plotësojnë pyetësorë.’- tha Rama.
Lajmi kryesor: